Ditmir Bushati tjetër “shuplakë” Ramës: As dhuna dhe as brutaliteti nuk janë zgjidhje

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas gjashtë orësh përplasjesh në Tiranë, duke dënuar dhunën dhe brutalitetin policor. Një ditë më parë, ai kishte kritikuar korrupsionin, personalizimin e pushtetit dhe problemet që kanë nxitur revoltën studentore.
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar sërish për protestat studentore dhe përplasjet e forta që përfshinë këtë të shtunë kryeqytetin.
Bushati ka shprehur shqetësimin për skenat e dhunës në rrugët e Tiranës, ku gjatë protestës u përdorën gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse, ndërsa pati edhe hedhje fishekzjarrësh e koktejesh molotov.
Ai thekson se as dhuna dhe as brutaliteti policor nuk ofrojnë zgjidhje për situatën e krijuar.
Gaz lotsjellës, tym, kokteje molotovi, rrahje, alarme, fishekzjarre, shkopinj gome, plumba gome, sprej me piper, përleshje. Skena trazirash nga Tirana ndërsa protestat e studentëve vazhdojnë. As dhuna dhe as brutaliteti policor nuk ofrojnë një zgjidhje për të kapërcyer situatën aktuale të vështirë”, shkruan Bushati.
Ky është reagimi i dytë i ish-ministrit të Jashtëm brenda dy ditësh. Edhe të premten, Bushati mbajti një qëndrim kritik ndaj situatës politike në vend, duke argumentuar se protestat nuk janë pengesë për integrimin europian të Shqipërisë, por lidhen me probleme që vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Bushati argumentonte se revolta e studentëve lidhet me korrupsionin, përqendrimin e pushtetit, pabarazitë ekonomike dhe dobësinë e institucioneve.
Ai kërkonte gjithashtu hetim të pavarur të akteve të dhunës dhe të veprimeve të forcave të sigurisë, duke theksuar se respektimi i shtetit të së drejtës është thelbësor për Shqipërinë.
Në të dyja reagimet, ish-ministri i Jashtëm e vendos theksin te shkaqet e protestave dhe te nevoja që situata të mos trajtohet vetëm përmes ndërhyrjeve policore.




