‘Shteti po lufton popullin e vet’/ Pedagogu Pecnikaj ngre alarmin: Jemi në prag të një lufte civile!

Pedagogu Ilir Pecnikaj, i ftuar në një emision televiziv, ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë tubimeve të studentëve dhe të rinjve, duke akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim të tepruar të forcës.
Pecnikaj e cilësoi situatën në vend tepër shqetësuese, duke paralajmëruar se përplasjet mes qytetarëve dhe forcave të rendit mund të çojnë drejt një konflikti të rëndë shoqëror. Sipas tij, është e papranueshme që policia të përdorë plumba gome dhe sasi të mëdha gazi lotsjellës ndaj protestuesve.
Pedagogu akuzoi veçanërisht efektivët e forcave “Shqiponja” për dhunë barbare, ndërsa theksoi se të rinjtë shqiptarë po protestojnë për të drejtën e tyre për të jetuar të lirë në vendin e tyre.
Ilir Pecnikaj:“Protesta është e drejta, dhuna nuk duhet të jetë kurrë përgjigjja. Jemi në prag të një lufte civile ku shteti po lufton popullin e tij! E tmerrshme që policia qëllon plumba gome mbi protestuesit. Efektivët e ‘Shqiponjave’ po përdorin dhunë barbare ndaj protestuesve. Të rinjtë tanë janë një brez i jashtëzakonshëm dhe duan të jetojnë të lirë në vendin e tyre. Është përdorur tej mase gaz lotsjellës po ashtu nga policia.”





