Mendime

Sonila Meço: Faleminderit Erion Braçe

Nga Sonila Meço

Një falënderim e meriton sot deputeti Erion Braçe. Me një sinqeritet që rrallë i shpëton kontrollit të pushtetit, na ka dhuruar një dokument të jashtëzakonshëm mbi gjendjen e parlamentarizmit shqiptar.

Ky shënim meriton t’u përcillet Marta Kos, Ursula von der Leyen, ambasadores së Bashkimit Europian, ambasadorit amerikan, kancelerive europiane dhe çdo përfaqësie diplomatike në Tiranë. Jo si denoncim i opozitës, por si dëshmi e nënshkruar, me zë, figurë dhe shkronja e një deputeti të mazhorancës për katandisjen e demokracisë, parlamentarizmit dhe votës në Shqipëri. Dhe po shprehet ish zv. Kryeministri, nëse lipset për të kuptuar më mirë se nga ç’afërsi me pushtetin po flitet.

Pavarësisht disiplinës antidemokratike brenda Partisë Socialiste, një deputet kuvendi që pohon se megjithëse ligji është i gabuar, se ndryshon sipas tij brutalisht jetën e qytetarëve, se megjithëse u imponua me autoritet absolut nga kryeministri, deputeti vetë u nënshtrua për mos t’u përjashtuar nga grupi, duke votuar gjithsesi një ligj të keq e antidemokratik.

Ja ku e keni demokracinë parlamentare shqiptare, të përshkruar pa përkthyes, pa burokratë dhe pa nevojën e ndonjë raporti të lobuar ndërkombëtar. Në Shqipërinë që kryeson grupin e vendeve për t’u integruar në BE, deputeti e ka të lirë ndërgjegjen deri sa nuk ia vendos kufirin tek thana kryeministri. Dmth parlamenti i një vendi që mëton të hyjë në shtëpinë ngritur mbi themelet e Kritereve të Kopenhagës, sipas vetë deputetit është një noter i rëndomtë i ekzekutivit.

Rama ka ndërtuar këtë model pushteti, por Braçe na shpjegoi mekanizmin që e mban në funksionim, njerëzit që megjithëse e dinë, kuptojnë dhe artikulojnë me saktësi deformimin i sigurojnë votat autokratit arrogant.

Ndaj faleminderit z. Braçe. Na dëshmuat çfarë pushteti ka Rama, na treguat edhe çfarë është deputeti në shtet-pushtetin e tij.

Faleminderit për autopsinë e parlamentarizmit, firmosur nga një prej anëtarëve të vet që sapo i kish matur pulsin dhe kish votuar si të qe shëndoshë e mirë!

Kjo sa i takon vlerës që kanë ato fjalë për ndërkombëtarët.

Por pak fjalë për ne që ende jetojmë këtu, rrisim fëmijë e kujdesemi për pleqërinë e prindërve. Për ne të shpopulluarit pa mëshirë, kundërshtarë të këtij sistemi përçudnues të dinjitetit e përçmues të meritës.

Nëse një deputet voton për të ruajtur vendin e tij në grup, pavarësisht bindjes për dëmin që sjell ligji, problemin nuk e ka veç me kryeministrin që imponon, kërcënon e përjashton nga grupi. Por edhe me veten, që pranon imponimin dhe më pas kërkon t’i njihet si meritë fakti se e ka kuptuar.

Nëse deputeti e quan kundërshtimin me fjalë sakrificë, cila është ajo? Sepse nga sa lexojmë u sakrifikua ekzakt ajo që duhej të mbrohej, vota e lirë.

Për më tepër, askush nuk ia merr automatikisht mandatin deputetit, nëse përjashtohet nga grupi parlamentar. Mund të humbasin privilegje partiake, ndikim pushteti, por jo të drejtën për të përfaqësuar zgjedhësit, që votën ua dhanë mu bash për t’i mbrojtur.

Kjo do të mbetet në histori, përshkrimi me saktësi tronditëse i mekanizmit antidemokratik të vendimmarrjes dhe mandej pjesëmarrja për të mbetur pjesë e tij. E atij mekanizmi që mbahet fort, përpos çdo monstruoziteti edhe nga ata që e denoncojnë shantazhin e kërcënimin si formë ekzistence, por njëkohshëm e shpërblejnë duke iu bindur…për një vend pune.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button