Publikohet kënga e fundit e Shpat Kasapit, Selvije Jao: Për muaj të tërë e mbajta për vete

Gati një vit pas ndarjes së parakohshme nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi, është publikuar kënga e tij “A je rahat pa mu”, një projekt muzikor që artisti kishte planifikuar ta sillte për publikun gjatë pjesëmarrjes së tij në “Big Brother VIP Albania 5”.
Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij, Selvije Jao, e cila përmes një postimi emocionues në Instagram ka zbuluar historinë që fshihet pas këngës.
Ajo ka treguar se, pak para hyrjes së planifikuar në reality show, Shpati i kishte dërguar katër versione demo dhe i kishte kërkuar të zgjidhte këngën që i pëlqente më shumë. Selvija kishte përzgjedhur pikërisht “A je rahat pa mu”, e cila tashmë është publikuar pas ndarjes së tij nga jeta.
Për Selvijen, publikimi i këtij projekti ka një domethënie të veçantë, pasi e konsideron një amanet të bashkëshortit të ndjerë dhe një mënyrë për të mbajtur gjallë kujtimin dhe zërin e tij.
Para se Shpati të hynte në Big Brother Albania, më dha të ndëgjoj katër demo dhe më kërkoi të zgjidhja atë që më pëlqente më shumë. Unë zgjodha pikërisht këtë këngë. E kishim planifikuar ta publikonim ndërsa ai do të ishte brenda Big Brother-it, por Zoti kishte plane të tjera. Rreth muajit mars ose prill kur unë e kisha harruar, kënga më erdhi e përfunduar nga producenti i Shpatit.
Një falënderim i veçantë për Artirec , që ma dorëzoi këngën pa asnjë interes, nga zemra, dhe që i qëndroi Shpatit gjithmonë në krah. Mirënjohëse për ty dhe për gjithçka që ke bërë për të. Falënderim edhe për Imperialb_sadiku për punën dhe përkushtimin.
Për muaj të tërë e mbajta këtë këngë për vete, sepse nuk isha gati ta ndaja me botën. Sot, titulli “A je rahat pa mu” më dhemb më shumë se çdo fjalë tjetër… Sikur sot të kishte një kuptim që atëherë nuk mund ta imagjinonim. Po e ndaj me ju si një amanet të Shpatit, që zëri i tij të vazhdojë të jetojë dhe të mos harrohet kurrë.
Disa këngë, me kalimin e kohës, nuk dëgjohen më njësoj. Disa bëhen kujtime që jetojnë përgjithmonë”, shkruan ajo.




