Pjesë e videove të Hilës, Blerina Matraku reagon sërish: Më the se ishe i divorcuar

Blerina Matraku ka reaguar sërish publikisht pas skandalit me videot intime, duke e bërë këtë herë deklaratën e saj edhe më të drejtpërdrejtë. Këngëtarja flet për pasojat që, sipas saj, kjo situatë ka shkaktuar te vajza dhe familja e përfshirë, ndërsa kërkon që përgjegjësit për shpërndarjen apo përdorimin e materialeve private të përballen me ligjin.
“Të bësh një vajzë, që mos të shohë dot babain e saj në sy, ta bësh atë të iki nga shtëpia, e të humbi të vetmen gjë që ka mbetur në jetë, ‘dinjitetin’, ky është KRIM”, shkruan Matraku.
Në vijim të reagimit, ajo i drejtohet personit me të cilin lidhet kjo histori dhe përmend edhe familjen e kompozitorit Adrian Hila. Matraku pretendon se gjatë marrëdhënies mes tyre, Hila i kishte thënë se ishte i divorcuar.
“Do t’i lashë në këtë botë, lotët e çdo gruaje, apo vajze, o Zot, lotët e çdo fëmije, lotët e nënës time, të Klaudias, (për të cilën thoje jam i divorcuar), lotët e vajzave të tua”, shkruan ajo.
Ky është një pretendim i bërë publik nga Blerina Matraku, i cili nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. Deklarata e saj e vendos për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë pretendim në qendër të reagimit të dytë.
Matraku kërkon gjithashtu ndërhyrjen e institucioneve, duke kërkuar që të merren masa ndaj personave që, sipas saj, kanë shpërndarë apo përdorur materiale private dhe kanë dëmtuar figurën e saj.
“Kërkoj nga autoritetet shtetërore të merren masa ligjore për secilin që ka përdhosur figurën e dikujt, të një femije, të një artisteje të pambrojtur”, shprehet ajo.
Këngëtarja thotë se situata ka prekur rëndë edhe familjen e saj dhe se dëmi i shkaktuar ndaj figurës së saj publike ka qenë i madh.
“Imazhi im është përdhosur dhe unë nuk kam sy e faqe të dal para asnjë individi, para asnjë familjari e para askujt. Ju lutem ndalni këtë gjë të shëmtuar, ku po goditen njerëz të pafajshëm. Familja ime është e gjunjëzuar dhe unë jam një njeri i kryqëzuar”, shkruan Matraku.
Ajo paralajmëron se do ta ndjekë çështjen edhe në rrugë ligjore, por në të njëjtën kohë kërkon kohë për t’u qetësuar dhe për të marrë veten nga situata.
“Më lini vetëm pak sa të marr veten, për të raportuar apo proceduar. Ndjesë, situata është tragjike”, shprehet ajo.
Në pjesën tjetër të reagimit, Matraku ndalet edhe te karriera e saj, duke theksuar se gjithçka që ka arritur profesionalisht e ka ndërtuar përmes punës së saj dhe duke mohuar se ka përfituar nga privilegje apo fonde publike.
Ky është reagimi i dytë publik i këngëtares pas shpërthimit të çështjes së videove intime. Në deklaratën e parë, Matraku iu drejtua me një kërkimfalje Klaudias dhe vajzave të Adrian Hilës. Këtë herë, përveçse kërkon ndjekje ligjore për personat që, sipas saj, kanë cenuar privatësinë dhe figurën e të përfshirëve, ajo sjell edhe pretendimin se Hila i kishte deklaruar se ishte i divorcuar./Pamfleti




