“Ajo nuk foli kot” – Ilir Kulla zbërthen përplasjen e Vlora Hysenit me Klodiana Lalën

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka komentuar deklaratën e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj gazetares Klodiana Lala, duke u ndalur fillimisht te një pikë thelbësore: sipas tij, Hyseni mund të ketë pasur një arsye apo informacion mbi të cilin e bazoi atë që tha dhe nuk duhet nisur automatikisht nga premisa se deklarata ishte bërë pa asnjë indicie.
I ftuar në podcastin “Të Pashoq” të Pamfletit, Kulla tha se beson se Hyseni kishte një arsye për të artikuluar pretendimin e saj. Por pikërisht duke marrë si hipotezë se informacioni mund të ishte i vërtetë, ai ngriti pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si një ish-drejtuese e një shërbimi inteligjent e bëri atë publik.
“Unë besoj që zonja ka pasur një arsye pse e ka thënë, nuk e ka thënë kot. Pra, nuk besoj që e ka thënë kot. Ka pasur një arsye, një indicie se nga është nisur dhe nga ka dalë. Por, nëse është e vërtetë ajo që thotë zonja Hyseni, atëherë zonja Hyseni tregoi se nuk ishte për atë punë”, u shpreh Kulla.
Deklarata që Kulla analizoi lidhet me episodin kur Hyseni, teksa po hynte në GJKKO, u pyet nga gazetarja Klodiana Lala për Ergys Agasin. Hyseni iu përgjigj gazetares duke e pyetur për takime të pretenduara me “agjentë serbë” në hotelin Rogner.
Kulla argumentoi se, nëse një drejtues i SHISH do të dispononte realisht informacion për kontakte të një gazetari me persona të identifikuar si agjentë të një shërbimi të huaj, mënyra profesionale e veprimit do të ishte shfrytëzimi i këtij informacioni për qëllime operative dhe jo ekspozimi i tij publik.
“Po të isha unë drejtor i Shërbimit dhe të ishte e vërtetë ajo që thotë zonja Hyseni, unë do të kisha rekrutuar atë gazetare. Do të kisha rekrutuar edhe atë shqiptarin tjetër, që mund të jetë nga komuniteti i gazetarëve, i cili e ka lidhur këtë gazetare me ata që zonja Hyseni pretendon se janë agjentë. Dhe këtë operacion zbulimi, të presupozuar nga ana e serbëve, unë do ta ktheja nga ana ime”, tha eksperti i sigurisë.
Sipas Kullës, problemi bëhet edhe më i rëndë nëse informacioni i artikuluar nga Hyseni ka ardhur nga puna operative e SHISH. Në një skenar të tillë, tha ai, bërja publike e informacionit mund të ekspozonte burimet, operativët dhe personat që kishin punuar për identifikimin e një operacioni të mundshëm të shërbimeve serbe.
“Nëse kjo gjë ka ndodhur dhe ka ekzistuar, do të mjaftonte vetëm kjo që zonja Hyseni të mos e thoshte dhe të mos dekonspironte ato burime, ata operativë, ata njerëz që kanë punuar për të identifikuar një operacion të mundshëm, për shembull nga shërbimi serb, sepse këtë donte të thoshte zonja Hyseni. Pra, është treguar joprofesionale edhe në atë që tha”, theksoi Kulla.
Për ekspertin e sigurisë, nuk është vendimtare nëse deklarata e Hysenit erdhi si reagim emocional apo nëse synonte të përcillte një mesazh. Ai e lidhi vlerësimin e tij me mënyrën se si duhet të trajtohet informacioni sensitiv nga një drejtues i inteligjencës.
“A e bëri nga nervat, a e bëri sepse ka dashur të japë ndonjë mesazh, nuk ka shumë rëndësi. Tregoi që nuk ishte për atë punë. Edhe me këtë gjë tregoi që nuk ishte për atë punë”, përfundoi Ilir Kulla./thuaje.al




