Rogner – Hotel apo vendtakim me “agjentë serbë”?

Nga Luan Rama
Kam pasur mundësinë të lexoj vite më parë një manual të deklasifikuar të CIA-s, një tradecraft, ku, ndër të tjera, flitej edhe për “Meetings with Agents”.
Tradecraft është termi që përdoret në botën e shërbimeve të inteligjencës për të përshkruar metodat, praktikat dhe procedurat operative që ato përdorin për mbledhjen e informacionit, komunikimin me burimet dhe shmangien e zbulimit.
Ndërsa agent meetings i referohen takimeve me burimet e informacionit, me agjentët.
M’u rikthyen këto në mendje teksa dëgjova ish-drejtoren e SHISH-it, Vlora Hyseni, ndërsa po kalonte pragun e SPAK-ut, e cila pyetjes së gazetares Klodiana Lala iu “përgjigj” me një kundërpyetje:
“Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”
Është e vështirë të besohet se kjo ishte një përgjigje e rastësishme. Hyseni e dinte se çfarë e priste në hyrje të SPAK-ut dhe, të paktën në dukje, dukej e përgatitur për praninë e gazetarëve. Nëse synimi ishte të përcillte një mesazh, kujt i drejtohej ai dhe çfarë synonte të thoshte, mbetet për t’u parë.
Por dua t’u largohem hamendësimeve dhe të provoj një analizë diskursive, pasi në pyetjen e zonjës Hyseni ka disa elemente interesante që duhen “lexuar” përtej asaj që dëgjuam.
Le t’i marrim me radhë.
1-“Si kalon ti në takime…”
E formuluar në këtë mënyrë, që në nisje të fjalisë, pyetja nuk ngrihet mbi mundësinë e një fakti, por mbi premisën e ekzistencës së tij.
Dallimi nuk është i parëndësishëm. Pyetja “Si kalon ti në takime me agjentët serbë?” është semantikisht krejt tjetër nga, për shembull, “A ke takuar ndonjëherë agjentë serbë?”
E para e merr takimin si të mirëqenë dhe e zhvendos pikëpyetjen te mënyra apo rrethanat e tij; e dyta vë në diskutim vetë ekzistencën e takimit.
Në këtë kuptim, formulimi i Vlora Hyseni krijon përshtypjen se ajo nuk po shprehte thjesht një dyshim, por po fliste nga pozita e dikujt që pretendon se ka dijeni për ekzistencën e këtyre takimeve.
Natyrisht, vetë formulimi i pyetjes nuk provon as ekzistencën e takimeve, as vërtetësinë e informacionit që mund të ketë pasur ajo. Ai vetëm tregon mënyrën se si folësja zgjodhi ta paraqiste pretendimin.
2-“Agjentët serbë”
Ndoshta ky është elementi më domethënës i gjithë formulimit.
Ish-drejtorja e SHISH-it nuk zgjodhi të thoshte “serbë”, “diplomatë serbë”, “gazetarë serbë”, “persona nga Serbia” apo një formulim tjetër më të përgjithshëm. Ajo përdori shprehimisht termin “agjentët serbë”.
Dhe kjo zgjedhje gjuhësore, sidomos e bërë nga një person me përvojë në fushën e inteligjencës, meriton vëmendje të veçantë.
Në terminologjinë e shërbimeve të inteligjencës, “agjent” nuk është domosdoshmërisht sinonim i “oficerit të shërbimit sekret”. Në kuptimin profesional të termit, agjent mund të jetë një person që bashkëpunon me një shërbim inteligjence dhe i siguron atij informacion ose mbështetje, ndërsa oficeri i shërbimit është personi që e rekruton, e drejton ose e menaxhon atë.
Prandaj, përdorimi i shprehjes “agjentët serbë” nuk është thjesht një përshkrim kombësie. Ai mbart një kuptim specifik në fjalorin e inteligjencës dhe, pikërisht për këtë arsye, ngre një pyetje të natyrshme: çfarë kuptimi kishte Vlora Hyseni për termin “agjent” dhe mbi çfarë informacioni e mbështeste këtë përcaktim?
Ajo që mbetet për t’u sqaruar nuk është thjesht kuptimi i termit, por burimi i informacionit mbi të cilin u mbështet përdorimi i tij.
3-“Në dhomat e Hotel Rogner”
Këtu formulimi bëhet edhe më specifik. Sepse zonja Hyseni nuk tha thjesht “në Rogner”, por “në dhomat e Hotel Rogner”. Dallimi mund të duket i vogël në planin gjuhësor, por është i rëndësishëm në planin informativ: nga një vend publik dhe i identifikueshëm, deklarata zhvendoset te një hapësirë konkrete brenda tij.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja më e rëndësishme: nga buron një informacion kaq specifik për vendndodhjen e pretenduar të takimit?
Nëse dikush pretendon se një takim nuk ka ndodhur thjesht në një hotel, por në një dhomë të caktuar të tij, atëherë natyra e informacionit ndryshon.
Një pretendim i tillë, në varësi të burimit, mund të mbështetet në dëshmi njerëzore, dokumentacion, vëzhgim ose burime të tjera informative e operative. Por pa e ditur burimin konkret, nuk mund të përcaktojmë as mekanizmin përmes të cilit është siguruar informacioni, as shkallën e besueshmërisë së tij.
Se mbi çfarë burimi apo informacioni është mbështetur Vlora Hyseni, në këtë pikë mund ta dijë vetëm ajo.
Edhe përzgjedhja e një hoteli të njohur si vendi i pretenduar i takimit meriton vëmendje nga pikëpamja operative.
Në logjikën e tradecraft-ut, një ambient publik dhe me qarkullim të madh njerëzish mund të ofrojë natyrshëm një justifikim për praninë e personave që takohen aty.
Por këtu shfaqet një parim i rëndësishëm i analizës së informacionit: sa më specifik të jetë pretendimi, aq më e lartë është kërkesa për verifikueshmërinë e tij.
Të thuash se “dy persona janë parë në Rogner” është një pretendim relativisht i përgjithshëm. Të thuash se “Personi X është takuar me Personin Y, në një datë të caktuar, në një dhomë të caktuar të hotelit” është një pretendim shumë më i ngushtë dhe, për rrjedhojë, kërkon një bazë informative më të përcaktuar dhe më të besueshme.
Në këtë kuptim, çështja nuk është vetëm çfarë u tha, por edhe sa i detajuar ishte informacioni që pretendohej se qëndronte pas asaj deklarate.
Dhe pikërisht ky detaj e bën shprehjen “në dhomat e Hotel Rogner” një nga elementet më të rëndësishme për t’u analizuar.
“Klodi, si kalon ti…”
Por ndoshta detaji më i mprehtë i kësaj pyetjeje është mënyra se si ajo e individualizon adresën e saj.
Ish drejtorja e SHISH-it nuk foli në mënyrë të përgjithshme; ajo iu drejtua drejtpërdrejt gazetares:
“Klodi, si kalon ti…”
Në planin analitik, ky individualizim e ndryshon natyrën e deklaratës.
Pyetja nuk lidhet më thjesht me ekzistencën e pretenduar të takimeve me persona të shërbimeve serbe, por ngre një çështje tjetër, shumë më konkrete: çfarë, sipas zonjës Hyseni, e lidhte pikërisht atë gazetare me këta persona?
Këtu çështja merr një dimension institucional.
Kur Vlora Hyseni u shkarkua nga detyra e zëvendësdrejtores së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, detyrimet që lidhen me informacionin e marrë gjatë ushtrimit të funksionit nuk pushonin automatikisht me përfundimin e detyrës, veçanërisht kur bëhej fjalë për informacion të klasifikuar, gjë që asaj iu bë e qartë shprehimisht.
Të njëjtin parim e gjejmë edhe në kuadrin shqiptar të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar: detyrimi për ruajtjen e tij nuk lidhet vetëm me kohëzgjatjen e funksionit, por vijon edhe pas largimit nga detyra, sipas kërkesave të ligjit.
Prandaj, pyetja bëhet edhe më e ndërlikuar:
Pse pikërisht Hotel Rogner?
Çfarë e lidh këtë vend me pretendimin e bërë?
Dhe, mbi të gjitha, pse Vlora Hyseni zgjodhi të shkonte deri te specifikimi i “dhomave” të tij?
Nëse kjo deklaratë merret si një pretendim që buron nga një informacion konkret, atëherë lindin një varg pyetjesh të natyrshme: a bëhet fjalë thjesht për një vend ku, sipas saj, janë zhvilluar takime, apo për një vend që ka qenë objekt i ndonjë interesi apo veprimtarie operative?
Pyetja shkon edhe më tej.
A ka ndonjë bazë për ta konsideruar Rogner-in një pikë takimi të personave të lidhur me shërbimet serbe dhe bashkëpunëtorëve të tyre të supozuar?
Apo bëhet fjalë për diçka krejt tjetër: një vend ku mund të jenë zhvilluar takime të veçuara, një objekt interesi operacional, apo thjesht një detaj i përdorur për të rënduar një akuzë?
Dhe këtu kthehemi te pyetja fillestare.
Sepse, nëse pas kësaj deklarate qëndron vërtet një informacion konkret për veprimtari operative në atë hotel, atëherë çështja nuk kufizohet më te dy persona dhe një takim i pretenduar.
Ajo prek një temë shumë më të gjerë. Sa e sigurt dhe sa private është, në të vërtetë, një hapësirë e një hoteli, që mund të jetë nën interesin operacional të një shërbimi të huaj, për më tepër e shërbimit sekret serb?!…




