Surprizë në ekran, “Ferma VIP 4” nuk pret pranverën, zbulohet plani i ri i produksionit

Vjeshta pritet të sjellë një garë të fortë mes formateve televizive reality, pasi “Ferma VIP” mund të rikthehet këtë vit shumë më herët se zakonisht.
Sipas informacioneve të publikuara nga Prive by Liberta Spahiu, edicioni i katërt i këtij formati pritet të nisë në muajin tetor, duke ndryshuar kalendarin tradicional të transmetimit që e vendoste zakonisht premierën në muajin mars.
Ky ndryshim e vendos “Ferma VIP 4” në konkurrencë të drejtpërdrejtë për audiencë me “Big Brother VIP Kosova 5”, i cili pritet të rikthehet gjatë vjeshtës, ndërsa më pas edhe me “Big Brother VIP Albania 6”, që zakonisht nis në muajin dhjetor.
Në rrjet kanë nisur prej kohësh të qarkullojnë emra të mundshëm për banorët e rinj të “Big Brother VIP Kosova”, por deri tani mbeten vetëm spekulime.
Ndërkohë, lëvizja e “Ferma VIP” duket se lidhet edhe me përgatitjet e produksionit, pasi producenti Eraldo Rexho dhe producentja ekzekutive Holta Dulaku së fundmi kanë pyetur ndjekësit se cilët personazhe do të dëshironin të shihnin në edicionin e ri.
Një tjetër pikë që mbetet për t’u zbuluar është përbërja e ekipit drejtues të formatit. Në sezonet e fundit është vënë re se moderimi ka pësuar ndryshime nga një edicion në tjetrin, ndërsa edhe emra të njohur të ekranit janë përfolur për përplasje rreth drejtimit të programit.
Tashmë mbetet për t’u parë se si do të reagojë publiku ndaj këtij ndryshimi të madh në kalendar dhe nëse “Ferma VIP 4” do të arrijë të rivalizojë formatet e tjera të mëdha televizive.




