Festa e grurit – një trashëgimi mijëvjeçare, e kthyer në një ngjarje moderne, që bashkon punën, kulturën dhe gëzimin popullor.
“Festa e Grurit”, festë tradicionale myzeqare, këtë vit feston edicionin e saj të 7-të! 7 vite që nëpërmjet saj mbillet krenari, korret kulturë dhe përcillet një frymë që bashkon myzeqarët. Kjo festë ka një domethënie të veçantë: Gruri është jeta, është trashëgimia jonë, buka që na bashkon, është simboli i begatisë.

Festa e Grurit nuk është thjesht një festë e stinës apo e të korrave – ajo është një urë mes së kaluarës dhe së tashmes, është një urë mes brezash, një dialog mes të lashtës dhe të sotmes.

Ajo vjen nga thellësitë e historisë, nga Apolonia, e frymëzuar nga festat dionisake të antikitetit, të cilat ishin kremtime të jetës, të pjellorisë, të verës dhe të bukës, që nderonin ritmin e natyrës dhe fuqinë e njeriut që punon tokën. Në Apoloni, dikur qytet i lavdishëm i Ilirisë, nderimi për tokën dhe të mirat që ajo jepte ishte pjesë e shenjtë e jetës.

Festa e grurit përcjellë një trashëgimi mijëvjeçare – duke e kthyer atë në një ngjarje moderne, që bashkon punën, kulturën dhe gëzimin popullor. Si trashëgimtarë të atyre ritualeve, në këtë edicion të 7-të të Festës së Grurit, ne jo vetëm që festojmë korrjen dhe bukën, por edhe lidhjen tonë me historinë, kulturën dhe identitetin.

Prandaj kjo festë nuk është vetëm një ngjarje, por një një kujtim, një nderim, një premtim që toka nuk harrohet, falënderim për bujkun, për gjyshet që na ka mësuar të bëjmë bukë me dashuri, për prodhuesit bujqësorë, për autokombajnerët heronjtë e heshtur të Myzeqesë.

Një nga traditat më të bukura që e shoqëron këtë festë prej dekadash është gatimi i bibës në saç! Një vakt i thjeshtë në pamje, por me shijen e mirënjohjes dhe mallin e bukës së shtëpisë. Kjo traditë ringjallet në Festën e Grurit – si një mënyrë për të kujtuar jo vetëm shijen e vjetër, por edhe zemrën që ka kjo tokë dhe njerëzit e saj.

Festa e grurit organizohet nga Bashkia e Fierit nëpërmjet Drejtorisë së Artit dhe Kulturës, me mbështetjen e Fondit Shqiptarë të Zhvillimit, nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë, z. Armando Subashi.


Ajo që e bën unike këtë festë është fakti, se: çdo element i saj ka lidhje ngushtësisht me grurin dhe bukën, paradat e mbi 400 vajzave të stiluara me grurë, parada e mekanikës bujqësore që ka lidhje me grurin.

Kjo festë tradicionale myzeqare ka një vizitueshmëri të lartë, e cila shkon deri në 4000 – 5000 viztorë në një natë, ndërsa burimet njerëzore të përfshira për përgatitjen e saj shkojnë në 500 vetë, një pjesë banorë të fshatit Pojan.
