Zgjidhet pas 47 vitesh: Misteri i mesazhit të Detit të Veriut në një shishe

Një mesazh në shishe që udhëtoi për dekada nëpër Detin e Veriut është zbuluar në një ishull të largët në Suedi – dhe pas 47 vitesh, misteri është zgjidhur nga BBC Scotland News. Shishja e hedhur në det në vitin 1978 ishte gjetur në fillim të këtij viti nga dy mike, Ellinor Rosen Eriksson dhe Asa Nilsson, në brigjet perëndimore të Suedisë.
Brenda saj ndodhej një letër e lagur dhe e zbehur nga koha, në të cilën mezi lexohej emri Addison Runcie, viti 1978, dhe një adresë në Cullen, në rajonin Banffshire të Skocisë. Pas verifikimeve, u konstatua se bëhej fjalë për peshkatarin James Addison Runcie, i cili në atë kohë ndodhej në bordin e anijes së peshkimit Loraley. Ai ndërron jetë në vitin 1995, por mesazhi ishte shkruar nga shoku i tij i ekuipazhit, Gavin Geddes, i cili mbeti i mahnitur kur mësoi se mesazhi ishte gjetur pas gati pesë dekadash.
Është fantastike që më në fund u zbuluar prej nga vinte,” thanë Ellinor dhe Asa. Ndërkohë, motra e Jim Runcie, Sandra Taylor, e cilësoi historinë si “e pabesueshme”.
Shishja u zbulua në shkurt, në një eksplorim të Ellinor, 32 vjeç, dhe Asa, 55 vjeç, në ishujt Vaderoarna. Teksa po kalonin në ishullin më verior, Torso, Asa pa një shishe të trashë qelqi që dilte nga toka. Brenda saj ishte një letër me datën 14.9.78 dhe adresa: “Addison Runcie, 115 Seatown, Cullen, Banffshire, Scotland”.
Pas postimeve në rrjetet sociale, BBC zbuloi se James Addison Runcie, i njohur me nofkën Peem, kishte jetuar në atë adresë në Cullen. Një grua që aktualisht banon në atë shtëpi e përshkroi këtë zbulim si një “copëz historie”.
Zhvillimi më i papritur erdhi kur BBC kontaktoi Gavin Geddes, ish-shok i Jim në anijen Loraley, e regjistruar në Buckie dhe që lundronte nga Peterhead. “Menjëherë kur pashë letrën, e njoha shkrimin tim,” tha ai. Ai kujton se kishin hedhur disa shishe në det, por njëra ishte posaçërisht për Jim. “Dhe tani, pas 47 vitesh, u gjet pikërisht ajo.”
Motra e Jim, Sandra, që ndodhej në Cullen për vizitë, u emocionua nga historia: “Është e pabesueshme. Të qëndrojë në det për më shumë se 40 vjet dhe pastaj të dalë në breg, është një mrekulli.”
Ellinor dhe Asa e përjetuan gjithçka si një përvojë magjike. “Të gjesh një mesazh nga dikush larg, në një ditë të ftohtë dimri, në një ishull të izoluar me mikeshën më të mirë, është vërtet diçka e rrallë,” tha Ellinor, duke shtuar se ajo vjen nga një familje peshkatarësh dhe ka pasion detin.
Në fund, të dyja shprehën dëshirën për të vizituar një ditë Cullen, për të ndarë këtë histori të jashtëzakonshme me komunitetin që e lidhi shishja misterioze.




