Mendime

“Nuk është vonë të tregosh”/ Mevlan Shanaj: Skaneri i punëve, kujtime, art dhe përballje

Nga Mevlan Shanaj

Në këtë moshë që ke arritur, a e ke bërë ndonjëherë skanerin e punëve të tua? Ose, më saktë, a të kthehen në kujtesë çastet e jetës? Vjen një moshë kur e shkuara troket më shpesh në kujtesë.
Kështu më ndodhi edhe me këtë libër. Më lindi dëshira të rikthehem te vitet që kam lënë pas, jo vetëm për të kujtuar formimin tim si njeri dhe profesionist, por edhe pasionet, ëndrrat dhe ambiciet që më kanë shoqëruar në udhëtimin e jetës.

Duke kthyer kujtesën pas, shkon gjithnjë e më larg, deri te nisja e këtij udhëtimi. Dhe aty kupton se jeta nuk është vetëm ajo që ke arritur të bësh, por edhe ajo që ke përjetuar, ke ëndërruar, ke humbur dhe ke mbrojtur.
Deri në moshën katërmbëdhjetëvjeçare isha një fëmijë timid, i rritur nën kujdesin e veçantë të nënës sime. Ajo ishte një malësore e butë, delikate, aq e ndjeshme, saqë edhe sot më mbetet në mendje një episod nga koha kur isha në klasën e tretë.
Po luaja me një shok. Rastësisht, ai u përplas me kokë te dera dhe u gjakos. Drejtori, që kaloi në korridor, pa ngjarjen dhe më qëlloi me një shuplakë. Unë isha një fëmijë i ndrojtur, që rritesha nën kujdesin e një nëne e cila kishte humbur bashkëshortin kur unë isha vetëm tre vjeç dhe djalin e madh, njëzet e pesë vjeç, kur unë isha pesë vjeç.
Kur shkova në shtëpi dhe i tregova nënës çfarë kishte ndodhur, ajo u ngrit, u vesh dhe shkoi te drejtori. I tha:
«Nuk lejoj njeri të ma prekë çunin me dorë, as ti, asnjë tjetër! E kam të shkëlqyer në mësime dhe në sjellje».
Kjo ishte nëna ime. Më mbronte pa kufi. Kështu më shoqëroi me përkujdesjen e saj deri në ditën kur u largova nga shtëpia për të ardhur në Tiranë, në Shkollën e Mesme Mjekësore, ku do të kaloja katër vjet të jetës në konvikt.
Kur kthehesha në verë për pushime, kujdesi i familjes vazhdonte. Nuk e di pse, por më trajtonin me një përkëdheli të veçantë. Kisha dhomën time, ndërsa nëna flinte në një paradhomë, apo siç i thoshim, në sallon. Ngrihej natën për të më kontrolluar. Një nga përkujdesjet e saj ishte edhe të më fikte abazhurin.
«Mjaft lexove, se të prishen sytë!»
Për vite me radhë kam qeshur me këtë kujtim, sidomos kur u kërkoja fëmijëve të mi të lexonin më shumë.
Isha rritur nën këtë kujdes të nënës dhe të vëllezërve. Kujtoj vëmendjen e tyre për të më çuar në një shkollë sa më të mirë, siç ishte Politeknikumi Mjekësor, me synimin që të bëhesha doktor, siç thuhej atëherë. Vëllai i dytë, dymbëdhjetë vjet më i madh se unë, më shoqëroi në konvikt me një valixhe druri, të bërë posaçërisht për mua.
Ishte shtatori i vitit 1959. Viti kur u shkëputa nga familja.
Kujdesi i vëllezërve, i dy kunatave dhe meraku i nënës nuk u ndërprenë deri sa krijova familjen time në Tiranë.
Këtu dua të ndalem te një kthesë e madhe e jetës sime: krijimi i familjes me Natashën, një vajzë e vetme nga Korça. Natasha, një natyrë e ndrojtur, poete, jo vetëm që më «mblodhi», por më dha edhe një dimension tjetër të jetës.
Kam rastin t’u kërkoj ndjesë fëmijëve të mi, Herës dhe Jonit, të cilët gjatë fëmijërisë e kishin babanë shpesh larg shtëpisë, ose në xhirimet e filmave, ose të angazhuar në televizion.
Krahasuar me shumë të tjerë, vitet e para të jetës sime ishin të mbushura me përkujdesje familjare. Më vonë, puna dhe pasioni për artin krijuan një tjetër lloj mungese. Sot them se arti nuk bëhet pa sakrifica njerëzore e familjare.
Ndjesë familjes! Faleminderit familjes!
TELEVIZIONI, NJË KUZHINË E PËRDITSHME
Në televizion je si në një qendër ku përgatitet ushqimi i përditshëm. Në atë kohë të vrullshme, shpesh më dukej vetja sikur përgatisja silazh. Nuk kishe shumë mundësi të zgjidhje. Puna të caktohej dhe, jo rrallë, gjendeshe në pozicionin e ekzekutuesit, me shumë pak hapësirë për krijim.
Punohej në studio me programe rutinë, ose shkonim me studiot lëvizëse nëpër veprimtari të ndryshme, deri edhe në ngjarje sportive. Mundësia për të shpalosur individualitetin krijues ishte e kufizuar.
Megjithatë, shkëndijat e para krijuese nisën pikërisht në studio. Më pas erdhën programet e spektakleve të Vitit të Ri, që konsideroheshin ndër realizimet kryesore televizive, sepse ndiqeshin nga një publik i gjerë. Aty mund të shpalosje shijen në përzgjedhjen e materialeve nga trupat e teatrove dhe estradave të rretheve.
Mjeshtëria jonë qëndronte në ekranizimin e materialeve cilësore. Kam realizuar disa prej këtyre programeve, duke u përpjekur t’u jepnim një trajtim sa më televiziv dhe t’i afronim me natyrën e ekranit, përtej kufijve të studios.
Një vit realizova të gjithë programin e Vitit të Ri në një restorant që për kohën ishte modern. Quhej «Pastiqa». Pritja ishte shumë e mirë.
Një herë tjetër u larguam nga studiot e televizionit dhe u vendosëm në skenën e ish-Operas, pranë Institutit të Lartë të Arteve, që atëherë konsiderohej një nga sallat më të mira.
Kështu, realizimet e programeve madhore filluan të shtegtonin në «natyrë», duke prekur më drejtpërdrejt jetën.
Me të njëjtën ide eksperimentuam edhe në fillimet e dramave të realizuara jashtë studios. Ato merrnin formën e gjysmëfilmave, sepse kishim të bënim me trupa teatri, por tashmë interpretimi nuk kufizohej vetëm në skenën tradicionale. Largimi nga butaforia po jepte frytet e veta.
Një tjetër eksperiment ishte realizimi drejtpërdrejt nga skena i komedisë «Pallati 176». Mendoj se mënyra e xhirimit krijoi një komunikim më të besueshëm, si në interpretim, ashtu edhe në marrëdhënien me publikun. Aktori Roland Trebicka ishte mjeshtër në kontrollin e publikut gjatë interpretimit.
Janë të shumta veprat skenike që kam realizuar, por kujtoj edhe një eksperiment tjetër: «Fernando Krafti», me trupën e Teatrit Kombëtar. Kjo erdhi pas suksesit të interpretimit të Yllka Mujos dhe Ndriçim Xhepës, nën regjinë e Gëzim Kames.
Përkthyesi Robert Shvarc më telefonoi në një periudhë kur po kalonte vështirësi shëndetësore. Më tha:
«E kam shumë për zemër këtë vepër. Mund ta marrësh ti dhe ta realizosh për televizion?»
I premtova.
Për herë të parë xhiruam një dramë televizive duke zbatuar parimet kinematografike. Mora tri kamera me mjeshtra të kamerës. Dy ishin kamera bazë, ndërsa e treta shërbente për planet plotësuese. Përcaktuam pozicionet e tyre në skenë, duke menduar paraprakisht për këndet dhe lëvizjet.
Mendoj se kjo përvojë ishte fryt i punës shumëvjeçare dhe na dha rezultate shumë të mira. Sipas mendimit tim, ky është realizimi më i mirë televiziv i një drame të sjellë nga skena në ekran.
LIDHJA IME ME DOKUMENTARIN
Në vazhdën e këtyre kujtimeve, dua të kthehem pas për të treguar se si nisi lidhja ime me dokumentarin.
Ftesa për të realizuar një dokumentar erdhi rastësisht. Në atë kohë ende nuk kishim koncepte të qarta për trajtimin e dokumentarit si gjini më vete.
Një gazetar me përvojë, Kliton Gilani, punonte si redaktor në programin e fëmijëve. Televizioni kishte disa redaksi, ndërsa unë punoja në programet artistike.
Klitoni kishte emër të mirë, si njeri dhe si profesionist, dhe konsiderohej ndër gazetarët më të përgatitur. Më ftoi të realizonim një dokumentar për këngëtaren e famshme Tefta Tashko.
U nisëm me një grup modest. Në atë kohë punoja me Stefan Gajon. Realizimi pati një pritje të mirë. Madje, për dokumentarin foli edhe Enver Hoxha, i cili kishte thënë se ata djemtë e televizionit ishin të rinj dhe nuk e njihnin plotësisht jetën e Tefta Tashkos, e cila kishte qenë një patriote.
Më pas, me të njëjtin grup, realizuam dokumentarin për Marie Krajan.
Ishte koha kur po njihesha me artistët më të njohur të Shqipërisë. Kështu, vit pas viti, realizova rreth njëzet dokumentarë.
Për çdo punë ka ndonjë ngjarje që mbetet në kujtesë.
Në një vit të largët, miku im, djaloshi i ri Shpëtim Gina, shkroi një skenar për Beratin. Krijuam një grup të përkushtuar, të bashkuar nga meraku dhe ëndrra e Shpëtimit, i cili në atë kohë kryente stazhin në televizion. Ai na bashkoi rreth këtij projekti: mua, Palin Kuke dhe narratorin Sander Prosi.
Arritëm të realizonim një dokumentar që, sipas vlerësimit të kolektivit të asaj kohe, ishte më i miri ndër realizimet e këtij lloji.
Filmi u shfaq në studion e madhe të televizionit, e cila ishte mbushur plot. Sipas traditës së atëhershme, pas shfaqjes punonjësit diskutonin dhe jepnin vlerësimet e tyre.
Dokumentari mori një vlerësim të veçantë.
Pasi mbaruam diskutimin në studio, më thirri në zyrë udhëheqësi artistik, i cili ishte edhe nëndrejtor dhe sekretar partie.
Më tha:
«Kishit bërë një punë shumë të mirë, por këto dy episode duhet t’i heqësh».
U befasova.
«Përse duhet të hiqen?»
«Sepse heroi ynë kombëtar e ka humbur atë betejë!»
E kundërshtova. I argumentova se në film nuk flitej fare për betejën. Ne përdornim vargjet e Gavril Darës, të cilat i recitova edhe aty:
«Se Berat, se Berat, këndoje Mara atë menatë… Lindi dielli pa një rreze, keq i kuq, ngjyer në gjak».
«Pikërisht këto ta kujtojnë atë ngjarje», më tha.
Në ekran shfaqej një vajzë e bukur, me një shandan në dorë, që ecte buzë lumit, mes tymit. Ishte një imazh poetik, i ndërtuar për të shoqëruar vargjet.
Por njeriu i censurës nuk tërhiqej.
«Nëse nuk i heq, filmi nuk do të transmetohet».
Unë dola nga zyra duke i thënë se ato nuk do të hiqeshin.
Dhe nuk u hoqën.
Por filmi nuk u transmetua. Që nga viti 1973 mbeti i burgosur.
Ky dokumentar më ka mbetur peng edhe për një arsye tjetër. Atë verë, Shpëtim Gina, gjatë zborit studentor, u mbyt aksidentalisht. Humbja e tij më la një dhimbje të veçantë. Ai ishte një djalosh me ëndrra, i cili kishte arritur të na bashkonte rreth një projekti të bukur.
Në vitin 1991 shkova në Arkivin e Radio-Televizionit Shqiptar për të kërkuar filmin. Nuk gjeta as kopjen e montuar, as negativin 16 mm.
E njëjta gjë më ndodhi edhe me tridhjetë e një minuta film të sinkronizuar për Lasgush Poradecin.
Në korrik të vitit 1981 kisha realizuar një dokumentar me poetin. Transmetuam tridhjetë minuta. Tridhjetë e një minutat e tjera, pasi i montova, i çova në arkiv. E dija se autocensura ishte po aq e fortë sa censura. Lasgushi, si njeri i lirë, kishte shprehur mendimet e veta. Mendova se ato nuk do të pranoheshin për transmetim, por të paktën le të mbeteshin në arkiv.
Pas ndërrimit të sistemit shkova t’i kërkoja të dy dokumentarët. Nuk i gjeta.
Kështu, dy dëshmi filmike të kohës, të lidhura me dy figura të rëndësishme të kulturës sonë, mbetën të humbura.
«FLETË TË BARDHA» DHE FURTUNA IDEOLOGJIKE
Për çdo punë ka diçka për të treguar. Por ngjarja më e rrëmujshme më ka ndodhur me filmin «Fletë të bardha», me skenar të Natasha Lakos. Kam realizuar mbi dhjetë vepra me skenarë të Natashës, por kjo mbetet një përvojë e veçantë.
Skenari u shkrua në vitin 1988 dhe filmi u shfaq më 31 maj 1990. Ai krijoi një furtunë të vërtetë në atë kohë ideologjike dhe politike.
Pati mbledhje, porosi nga Komiteti Qendror, shkrime në gazetën «Zëri i Popullit» dhe telefonata kërcënuese për Natashën nga Nexhmije Hoxha. Kjo e fundit i kishte thënë se do t’i hiqej e drejta për të shkruar.
Natasha e ka treguar publikisht këtë ngjarje në televizion dhe në media, ndërsa Nexhmije Hoxha ishte ende gjallë.
Ishin muajt e fundit të sistemit. Ne i shkruam Ramiz Alisë, duke i kërkuar të ndërpriste sulmin ndaj filmit dhe skenaristes. Pastaj erdhi 2 korriku i vitit 1990, hapja e ambasadave dhe një realitet i ri politik. Çështja e filmit «Fletë të bardha» mori fund në atë vorbull ndryshimesh.
Por mbresat e asaj kohe mbeten të pashlyera. Ishte një përplasje që tregonte se sa e rrezikshme mund të bëhej një vepër arti kur prekte nervin e sistemit.
«LULE TË KUQE, LULE TË ZEZA» DHE NJË TJETËR PËRBALLJE
Mbresa të pashlyera kam edhe nga filmi «Lule të kuqe, lule të zeza».
Kisha fituar në New York Film Festival çmimin për filmin e huaj më të mirë. Ishte një moment i rëndësishëm në jetën time krijuese. Por pikërisht atë ditë që ndodhesha në Nju-Jork, më njoftuan se administrata e RTSH-së, pasi unë kisha fituar gjyqin për largimin nga puna, kishte bërë ankim në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Ishte një kontrast i çuditshëm: në njërën anë, vlerësimi ndërkombëtar për filmin; në anën tjetër, një përballje gjyqësore në vendin tim, për një të drejtë pune.
Edhe këtë gjyq e fitova, sepse nuk kisha kryer asnjë shkelje ligjore.
Administrata shqiptare, historikisht, ka bërë gabime të rënda dhe shpesh ka këmbëngulur në to, edhe kur faktet dhe ligji kanë qenë kundër saj. Për fat të keq, kjo mënyrë veprimi vazhdon të shfaqet edhe sot.
Kur bëj skanerin e punëve të mia, nuk shoh vetëm filmat, dokumentarët apo programet televizive që kam realizuar. Shoh edhe përpjekjet për të krijuar brenda kufizimeve, përplasjet me censurën, humbjet, zhgënjimet dhe kënaqësinë që të jep një punë e bërë me përkushtim.
Në fund, ndoshta kjo është ajo që mbetet: jo vetëm çfarë ke realizuar, por edhe çfarë ke mbrojtur, çfarë nuk ke pranuar të ndryshosh dhe çfarë nuk ke lejuar të të marrë koha.
Nga libri në proçes ” Nuk është vonë të tregosh”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button