Uncategorized

Venecia rikthen taksën për udhëtarët: Gjoba deri në 300 euro për ata që nuk paguajnë 

Venecia ka rifilluar këtë javë aplikimin e taksës për udhëtarët ditorë, si pjesë e përpjekjeve të saj për të frenuar mbiturizmin që ka rënduar për dekada qytetin historik. Tarifa është dyfishuar në 10 euro për vizitorët e minutës së fundit që nuk bëjnë rezervim të paraprak, duke hyrë në fuqi nga data 18 prill deri më 27 korrik 2025. Taksa do të aplikohet çdo të premte, të shtunë, të diel dhe në ditët zyrtare të festave, gjatë orëve të pikut nga ora 08:30 deri në 16:00 – për një total prej 54 ditësh.

Kryebashkiaku Luigi Brugnaro ka deklaruar se kjo masë është e domosdoshme për të ndihmuar qytetin dhe banorët e tij, për të shmangur flukset masive të turistëve, sidomos gjatë fundjavave dhe sezoneve të larta. Sistemi u lançua për herë të parë vitin e kaluar në formën e një programi pilot me kohëzgjatje të kufizuar, por këtë vit është zgjeruar ndjeshëm si në ditë aplikimi ashtu edhe në masën e gjobës.

Sipas rregullave të reja, kushdo që gjendet në qytet gjatë orareve të përcaktuara pa dokumentacionin e kërkuar – një kod QR që vërteton pagesën ose përjashtimin nga tarifa – rrezikon një gjobë nga 50 deri në 300 euro, plus tarifën e hyrjes prej 10 euro që përcaktohet me ligj. Qytetarët që kalojnë natën në hotele ose struktura të tjera akomoduese në Venecia nuk janë të detyruar të paguajnë këtë taksë, pasi tarifa turistike përfshihet tashmë në faturën e qëndrimit.

Përjashtime të tjera përfshijnë banorët e qytetit dhe të rajonit Veneto, personat që udhëtojnë për punë, studime apo arsye shëndetësore, si dhe ata që kanë lindur në Venecia por jetojnë jashtë saj. Rrethet kontinentale si Marghera dhe Mestre, si dhe ishujt Murano, Burano dhe të tjerë jashtë zonës historike, nuk përfshihen në programin e taksimit.

Rezervimi i hyrjes në qytet bëhet përmes një platforme të dedikuar online, ku vizitorët ditorë paguajnë tarifën përkatëse (5 € nëse rezervojnë të paktën katër ditë përpara, 10 € nëse jo) dhe marrin një kod QR. Ky kod do të kontrollohet në shtatë pikat hyrëse në qytet, përfshirë edhe stacionin kryesor të trenit. Vizitorët që kanë rezervim në hotel nuk paguajnë, por gjithashtu duhet të paraqesin një kod QR të veçantë me informacionin e qëndrimit të tyre.

Vendosja e kësaj tarife ishte një prej faktorëve që ndihmoi Venecian të shpëtonte nga përfshirja në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik të UNESCO-s, shtatorin e kaluar. Qyteti e shmangu këtë përfshirje edhe dy vite më parë, kur ndaloi kalimin e anijeve turistike përmes pellgut të Shën Markut dhe kanalit Giudecca, një vendim i rëndësishëm që adresoi shqetësimet për ndikimin mjedisor dhe vizual.

Në vitin 2019, vetëm anijet e lundrimit sollën rreth 1.6 milion vizitorë në Venecia. Ndërkohë, verën e kaluar, aktivistët ngritën alarmin kur numri i shtretërve turistikë në qytet tejkaloi për herë të parë numrin e banorëve rezidentë, të cilët janë në rënie dhe kanë zbritur nën 50,000 – një prirje që vijon prej dekadash. Me taksën e re, autoritetet shpresojnë jo vetëm të kontrollojnë numrin e vizitorëve, por edhe të nxisin qëndrime më të gjata dhe më të qëndrueshme në qytetin lagunor.

Ata thanë se çekuilibri e zbraz qytetin nga shërbimet, duke bllokuar rrugicat e tij të ngushta dhe autobusët e ujit me turistë që transportojnë valixhe dhe duke i shtyrë banorët drejt kontinentit me komoditetet e tij.

A ishte prova e tarifës së hyrjes një sukses?

Në fund të fazës së parë të testimit korrikun e kaluar, zyrtarët thanë se taksa kishte fituar 2.4 milionë euro, duke llogaritur rreth 1,000 hyrje në secilën nga ditët e testimit.

Brugnaro iu përgjigj kritikëve që e kanë quajtur atë një dështim dhe tha se nuk pengoi aq shumë ardhje sa pritej.

“Venecia është qyteti i parë në botë që përpiqet të menaxhojë problemin e mbiturizmit. Ne morëm rezultate të rëndësishme,” tha kryebashkiaku.

Por disa grupe qytetarësh dhe këshilltarë të opozitës pretendojnë se tarifa e aksesit nuk arriti të kontrollojë plotësisht turizmin.

“Të dhënat e ofruara nga dhoma e kontrollit tregojnë se mesatarisht gjatë periudhës së zbatimit të tarifës kemi pasur rreth 7000 hyrje turistike më shumë se vitet e mëparshme”, tha Giovanni Andrea Martini, këshilltar i opozitës.

“Kjo tregon se tarifa e aksesit nuk është aspak një sistem në gjendje të menaxhojë flukset.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button