Politike

Debati për Zgjedhoren, Meta ‘godet’ Berishën: Të zhbëhet pazari i 2008-ës

Teksa Partia Demokratike dhe Partia Socialiste përplasen mbi ndryshimet në reformën zgjedhore, Ilir Meta i ka dhënë një goditje aleatit të tij politik, Sali Berishës, duke kërkuar zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të cilat kreu i PD-së i miratoi në marrëveshje me Edi Ramën.
Ish-presidenti, i cili ndodhet në paraburgim, kërkon rikthimin e Kushtetutës së mëparshme, hapjen e plotë të listave zgjedhore dhe rikthimin e balotazhit për kryetarët e bashkive.
“Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.

Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve”, shkruan Meta.
Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 u miratuan me votat e PD-së dhe PS-së, pas marrëveshjes mes Berishës, atëherë kryeministër, dhe Ramës, kryetar i opozitës. Reforma ndryshoi sistemin zgjedhor dhe procedurën e zgjedhjes së Presidentit, ndërsa u kundërshtua nga LSI-ja e drejtuar prej Metës.

Në reagimin e tij, Meta sulmon edhe kontrollin e kryetarëve të partive mbi mandatet parlamentare, duke kërkuar më shumë hapësirë për kandidatët e pavarur.

Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.
Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë!
Shqiptarët meritojnë të zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort!
Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e ‘Rilindjes’.
Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar”, përfundon Meta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button