Lekatari: Veliaj priste një dënim pak më të lehtë. Duke parë që kjo nuk ndodhi, ndryshoi qëndrimi. Ja pritshmëritë për zgjedhjet

Zgjedhjet e ardhshme lokale për Bashkinë e Tiranës pritet të sjellin zhvillime krejtësisht të papritura, duke i hapur rrugë mundësisë së një kandidati të pavarur, i cili mund të vijë nga radhët e studentëve.
Situata aktuale politike brenda Partisë Socialiste raportohet të jetë e tensionuar. Kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj, duket se po kalon një periudhë izolimi politik.
Aktivistja Zhaklin Lekatari e ftuar në emisionin “Black Box” të drejtuar nga gazetarja Anduena Llabani, në “Ora News”, vlerësoi se kjo mund të ketë ardhur pas humbjes së betejave të tij me drejtësinë, si dhe nga sjellja favorizuese që Kryeministri Edi Rama dhe qeveria kanë treguar ndaj figurave të tjera të rëndësishme.
Kjo përçarje e brendshme konsiderohet si “ishulli i fundit” i shpëtimit për Veliajn, ndërsa vetë kreu i qeverisë përballet me frikën e humbjes së kryeqytetit.
Nga ana tjetër, partitë e vogla opozitare po fitojnë terren dhe një aleancë e gjerë, e cila mund të përfshijë edhe Partinë Demokratike, duket të jetë në tryezë.
Llogaritë elektorale tashmë po ndryshojnë vrullshëm. Sheshi ka bashkuar votues nga Partia Socialiste, Partia Demokratike, elektoratin gri dhe atë të partive të vogla.
Në këtë kontekst, një figurë e pastër apolitike dhe e pakonsumuar, e ngjashme me performancën pozitive që u pa me figura publike në sondazhet e kaluara, mund të jetë çelësi i suksesit.
Zhaklin Lekatari: “Sepse zgjedhjet lokale ndonëse kam dëgjuar disa eksponentë të partive opozitare të deklarojnë dhe të thonë që janë larg, për mua nuk janë larg. Dhe… edhe unë e mendoj si zoti Alibeaj përsa i përket ndryshimit të marrëdhënieve dhe kohës së ndryshimit të marrëdhënieve, mbasi zoti Veliaj priste lirimin e tij ose ndryshimin e ndalimit të tij pra… në një dënim pak më të lehtë. Duke parë që kjo nuk ndodhi… mendoj që dhe duke parë sjelljen që Qeveria, Partia Socialiste, por edhe zoti Edi Rama ka pasur kundrejt zonjës Balluku… mendoj që zoti Veliaj është ndjerë i izoluar dhe duke parë që humbi dhe këtë luftën me prokurorët për t’i dhënë vetes një mundësi për të qenë pas përfundimit të dënimit në politikë… mendoj që ky është ishulli i fundit për të shpëtuar veten për zotin Veliaj. Ndërsa zoti Rama ka patjetër frikën e Tiranës, sepse partitë e vogla po marrin hov, po flasim për një aleancë të mundshme. Nuk e di nëse pastaj do bëjnë… do të mund të bëjnë një aleancë edhe me Partinë Demokratike. Protesta, protestuesit, studentët… që për momentin janë ai grup shoqëror që edhe udhëheq protestën edhe është edhe më i zëshëm dhe në një farë mënyre dhe e përfaqëson protestën, mund të dalin patjetër me një kandidat të pavarur. Nuk e dimë nëse partitë e vogla do mbështesin kandidatin e pavarur që do dali nga studentët, pra të bëhet një grupim i madh opozitar…
Dhe… është e mundur! Nëse ka vullnet është e mundur. Dhe pastaj mendoj që zoti Rama e di shumë mirë që ka ardhur koha që të bëhen llogaritë e vërteta të shifrave. Sepse mendoj që shumë nga protestuesit që janë… kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në shesh, janë një pjesë elektorat i Partisë Socialiste, një pjesë patjetër janë edhe elektorat i Partisë Demokratike, një pjesë janë elektorat gri, dhe një pjesë janë elektorat i partive të vogla. Kështu që mendoj që ka ardhur koha që të ulen edhe të shikojnë shifrat e qarta, sepse matematika nuk është opinion, është shumë e qartë, dhe të bëjnë llogaritë për të fituar Tiranën. Dhe kjo pastaj do ishte një goditje shumë e madhe, edhe për Partinë Socialiste dhe për keqqeverisjen e tyre apo mungesën e transparencës apo mungesën e llogaridhënies… por do i jepte dhe një hov shumë të madh qëndresës qytetare dhe mobilizimit qytetar… që me thënë të drejtën është ngjarja më e madhe politike dhe sociale që ka ndodhur këto 15 vitet e fundit.
Unë mendoj që po sepse… vitin e kaluar kur u bënë sondazhe të ndryshme për sa i përket kandidatëve dhe u lakua emri i zotit Florian Binaj që vinte edhe nga Partia Demokratike… në sondazhe zoti Binaj dilte shumë, shumë mirë pa qenë asnjëherë i angazhuar në politikë, pa qenë anëtar i ndonjë partie politike, pa qenë i lakuar me ndonjë aktor të rëndësishëm politik. Pra, dukej sikur ishte një njeri i cili vinte nga poshtë, jo nga populli po nga qytetarët, dhe do të përfaqësonte më së miri interesat e tyre. Sepse lufta për zgjedhjet lokale unë nuk mendoj që është një luftë ideologjike, po është një luftë që ka të bëjë me nevojat e përditshme të qytetarëve. Kështu që qytetarët votojnë kandidatin që për momentin ju duket më i pastër, më normal, dhe që do t’i përgjigjet nevojave të tyre: rrugës së re, parkut, hapësirës së gjelbër, shkollave, kopshteve, parkingut, taksave.





