Aktualitet

“Kumbaro hapi Kutinë e Pandorës!” Auron Tare: Ligji për Butrintin lejon që edhe një fond serb të marrë Kalanë e Shkodrës

Studiuesi Auron Tare ka akuzuar ish-ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, se me ligjin për trashëgiminë kulturore krijoi një precedent të rrezikshëm, që u hap rrugën fondacioneve të huaja të marrin në administrim monumentet historike të Shqipërisë. Sipas tij, legjislacioni i miratuar për administrimin e Butrintit lejon që edhe një fond serb të marrë Kalanë e Shkodrës, ndërsa një fondacion grek mund të marrë Kalanë e Gjirokastrës apo sitin arkeologjik të Finiqit.
I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, në podkastin e Pamfletit, Tare deklaroi se ligji u hartua për t’i mundësuar Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) marrjen në administrim të Butrintit, por pasojat e tij, sipas studiuesit, shtrihen në të gjithë sistemin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Ligji që zonja Kumbaro bëri me ndërhyrjen dhe pagesën, e verifikuar kjo, të Fondit Shqiptaro-Amerikan (AADF) si e ka emrin, hapi Kutinë e Pandorës sepse me ligj sot për shembull, një fondacion grek brenda ligjit tonë, mund të vijë të marrë në administrim Kalanë e Gjirokastrës, për shembull. Apo pjesën, pjesën e vjetër të Gjirokastrës. Apo nuk e di, Finiqin. Apo një fond serb mund të vijë të marrë Kalanë e Shkodrës. Ligji e lejon.

Pra, bën një ligj me porosi vetëm për Fondin Shqiptaro-Amerikan që të marrë Butrintin. Dhe dëmtuan të gjithë sistemin e trashëgimisë kulturore shqiptare duke krijuar një precedent shumë të rrezikshëm për të ardhmen”, deklaroi Tare.

Studiuesi ngriti gjithashtu shqetësimin për ndryshimet në territorin e Parkut Kombëtar të Butrintit, duke deklaruar se një pjesë e konsiderueshme e zonës së mbrojtur është kaluar për zhvillime ndërtimore. Ai u bëri thirrje gazetarëve të shkojnë në terren dhe të shohin ndërhyrjet që po kryhen në një zonë që, sipas tij, është ruajtur për dekada.
“Një përgjigje shumë të thjeshtë. Ju për shembull si gazetare bashkë me kameramanin mund të shkoni atje dhe ta shikoni vetë se çfarë po bëhet. Se çfarë po bëhet në zonën e ruajtur, e cila u ruajt për disa dekada rresht, u kthye në një nga simbolet më të mira të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare të ruajtjes së pasurisë kulturore dhe natyrore.

Dhe sot, 800 hektarë i është dhënë disa oligarkëve për ndërtim. Një pjesë tjetër nga Liqeni i Butrintit po planifikohet dhe atje t’i jepet. Dhe qendra arkeologjike iu dha një fondi të huaj. Një rast i paprecedent të paktën nën ombrellën e pasurive botërore të UNESCO-s, nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër”, u shpreh ai.
Për Taren, shqetësimi nuk kufizohet vetëm te ndërtimet në zonën e mbrojtur. Ai e konsideron po aq problematik kalimin e administrimit të qendrës arkeologjike te një fondacion, duke e cilësuar këtë një rast të paprecedent për një pasuri të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Studiuesi kritikoi edhe mënyrën se si u miratua kjo nismë në Kuvend. Sipas tij, përfaqësuesit e të dy krahëve politikë votuan në favor të një modeli administrimi që ai e kundërshton.
“Dhe po të shikosh, kur ndodhi kjo, si krahu demokrat ashtu dhe krahu socialist në parlament, votuan pro. Pra kemi parlamentarë të cilët votojnë që pjesa e trashëgimisë së tyre kulturore t’jua japin disa të huajve për ta administruar. Është skandal i pafalshëm.
Dhe si media, si publiku shqiptar në përgjithësi nuk ngrenë zërin. Nuk flasim. Pse? Media për interesat e tyre, publiku shqiptar ndoshta nuk ka, si të thuash, kuptimin e duhur për të parë se sa e rrezikshme është ky veprim i paprecedent”, deklaroi Tare.
Në vijim, ai solli si krahasim monumente të njohura europiane, duke argumentuar se administrimi i një pasurie si Butrinti duhet të trajtohet me të njëjtën rëndësi si administrimi i Akropolit, Koloseut apo Luvrit.
“Pra, imagjinoni në Greqi që Greqia t’i japi një fondi kushdo qoftë ai i huaj, Akropolin. Apo Roma t’i japi, nuk e di, Koloseun, apo Franca t’i japi Luvrin e të tjerë e të tjerë. Pra në këtë nivel”, tha ai.
Tare e lidhi këtë krahasim me ndryshimet ligjore të miratuara gjatë kohës kur Mirela Kumbaro drejtonte Ministrinë e Kulturës. Sipas tij, ligji nuk krijoi vetëm një mënyrë të re administrimi për Butrintin, por një mundësi që mund të përdoret edhe për monumente të tjera historike në vend.
“Ligji që zonja Kumbaro bëri me ndërhyrjen dhe pagesën, e verifikuar kjo, të Fondit Shqiptaro-Amerikan (AADF) si e ka emrin, hapi Kutinë e Pandorës sepse me ligj sot për shembull, një fondacion grek brenda ligjit tonë, mund të vijë të marrë në administrim Kalanë e Gjirokastrës, për shembull. Apo pjesën, pjesën e vjetër të Gjirokastrës. Apo nuk e di, Finiqin. Apo një fond serb mund të vijë të marrë Kalanë e Shkodrës. Ligji e lejon.
Pra, bën një ligj me porosi vetëm për Fondin Shqiptaro-Amerikan që të marrë Butrintin. Dhe dëmtuan të gjithë sistemin e trashëgimisë kulturore shqiptare duke krijuar një precedent shumë të rrezikshëm për të ardhmen”, përfundoi Tare./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button