Politike

Rebelimi në ‘oborrin’ e Ramës, kryeministri thërret në rresht socialistët për të rivendosur disiplinën në PS

Kryeministri pritet t’ua bëjë të qartë ‘kryengritësve’ se nuk do të tolerojë më skena të tilla brenda PS-së…
Seanca e fundit Parlamentare tregoi se kontrolli i kryeministrit Edi Rama në Partinë Socialiste ka nisur të tregojë shenja lëkundje. Brenda PS pati përplasje të mëdha për Reformën Territoriale, deputetët Erion Braçe, Vullnet Sinaj dhe Elisa Spiropali shprehën pakënaqësi me draftin.
Megjithatë pavarësisht kundërshtive, Reforma Territoriale u votua në Kuvend nga të gjithë deputetët e mazhorancës, pas presioneve dhe ultimatumeve të Ramës.
Presionet u konfirmuan edhe nga vetë deputeti Braçe, i cili një ditë pas votimit të Reformës deklaroi se votoi ‘pro’ në mënyrë që të mos përjashtohej nga Partia Socialiste, pasi kryeministri Rama kishte thënë se do ta përjashtonte.

Në vazhdën e këtyre ngjarjeve, kryeministri Rama ka thirrur ditën e mërkurë në orën 12:30 një mbledhje të zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Mbledhja, e thirrur nga kryeministri Edi Rama, do të zhvillohet në Pallatin e Brigadave, ku do të marrin pjesë deputetë e ministra të mazhorancës socialiste.
“Të nderuar kolegë, Ju njoftoj se ditën e mërkurë, datë 14 tetor 2026, në orën 12:30, do të zhvillojmë mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar në Pallatin e Brigadave. Për këtë arsye, ditën e hënë, datë 12 tetor, nuk do të zhvillojmë mbledhjen e zakonshme të Grupit”, thuhet në mesazhin e dërguar deputetëve.
Mbledhja duket se ka të bëjë pikërisht me këto kryengritje brenda Partisë, të cilat Rama duket se do t’i diskutojë në mbledhjen e ditës së mërkurë. Kryeministri pritet t’ua bëjë të qartë ‘kryengritësve’ se nuk do të tolerojë më skena të tilla brenda PS-së.

Përtej debatit për Reformën Territoriale, ajo që duket se shqetëson më shumë Ramën është fakti se pakënaqësitë brenda mazhorancës kanë nisur të shprehen hapur edhe në sallën e Kuvendit. Qëndrimet kundërshtuese të deputetëve socialistë përbëjnë një sinjal se jo të gjithë brenda PS-së janë të gatshëm të ndjekin pa kundërshtime vendimet e kryeministrit, duke nxjerrë në pah përplasjet mes disiplinës partiake dhe qëndrimeve individuale të ligjvënësve.
Në këto kushte, mbledhja e së mërkurës mund të shërbejë edhe si një përpjekje e Ramës për të rivendosur autoritetin e tij mbi Grupin Parlamentar dhe për të shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme në votimet e ardhshme. Mbetet për t’u parë nëse kryeministri do të zgjedhë rrugën e paralajmërimeve dhe masave ndaj deputetëve që dalin kundër vijës së partisë, apo nëse përplasjet e fundit do të hapin një debat më të gjerë mbi mënyrën se si merren vendimet brenda Partisë Socialiste/Pamfleti.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button