Protesta e studentëve i nxori të gjithë lakuriq, Taulant Muka tregon si pushteti i vjetër po kapet pas zgjedhjeve si komardare shpëtimi, mediat që dje censuronin Arlind Qorin sot garojnë ta rikthejnë në ekran, edhe Grida Duma ndryshon kurs

Protesta e studentëve duket se ka trazuar jo vetëm pushtetin, por edhe skenën politike dhe mediatike në vend. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, eksperti Taulant Muka ngre pikëpyetje mbi ndryshimin e papritur të qëndrimeve të mediave ndaj figurave politike, duke vënë në dukje rastin e Arlind Qorit, i cili sipas tij deri dje censurohej, ndërsa sot ftohet në ekran për të diskutuar mbi zgjedhjet. Muka e lidh këtë ndryshim me zhvillimet e fundit dhe presionin që protestat e studentëve po ushtrojnë mbi politikën. Sipas tij, kur protestat prishin qetësinë e pushtetit dhe situata del jashtë kontrollit, debati për zgjedhjet kthehet në një mundësi shpëtimi për politikën e vjetër.
Në reagimin e tij, ai përmend edhe Grida Dumën, duke theksuar ndryshimin e kursit të saj dhe të mediave që më parë nuk i jepnin hapësirë Qorit, ndërsa tani garojnë për ta pasur të ftuar. “Aq keq i kanë vajtur punët pushtetit të vjetër, sa mediat që deri dje censuronin Qorin, përfshirë edhe Griden, sot mezi presin ta ftojnë për të folur për zgjedhjet. Çudi e madhe, si u zhduk papritur censura!”, shkruan Muka. Më tej, ai argumenton se debati për zgjedhjet po përdoret si një komardare shpëtimi në një moment kur protestat po prishin ekuilibrat e zakonshëm politikë. Sipas tij, Arlind Qori, që deri dje ishte i padukshëm në ekranet televizive, është kthyer papritur në një nga të ftuarit e preferuar. “Kur protestat të prishin rehatinë dhe të kanë dalë jashtë kontrollit, debati për zgjedhjet bëhet komardare shpëtimi, kurse Qori i djeshëm i padukshëm bëhet i ftuari i preferuar i ekraneve. Çfarë tragjikomedie! Prisni, se nuk keni parë gjë akoma! Protesta e studentëve i nxori të gjithë lakuriq!”, përfundon reagimin e tij Taulant Muka.
Loja e opozitës
Por reagimi i Taulant Mukës nuk është i vetmi që vë në pikëpyetje qëndrimet e politikës së vjetër përballë zhvillimeve të fundit. Ndërsa debati për zgjedhjet po rikthehet në qendër të vëmendjes, një tjetër kontradiktë shfaqet brenda opozitës. Gazeta “SOT” e raportoi disa ditë më parë lojën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili përsërit se nuk shkon në zgjedhje me kryeministrin Edi Rama, se nuk e njeh procesin dhe se pa qeveri teknike nuk ka garë të ndershme. Por politika nuk gjykohet vetëm nga fjalimet, deklaratat dhe konferencat për shtyp. Ajo gjykohet mbi të gjitha nga vendimet konkrete.
Dhe vendimi i fundit i kryetarit të PD-së është një kontradiktë që kërkon shpjegim. Më 10 nëntor, Berisha firmos udhëzimin për nisjen e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Sipas udhëzimit, procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 do të zhvillohet në të gjitha degët e PD-së, ku strukturat drejtuese duhet të mbledhin propozime nga anëtarësia, simpatizantët, profesionistët, akademikët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe komunitetet lokale, duke përfshirë edhe emra jashtë strukturave partiake, ndërsa afati për dorëzimin e propozimeve është caktuar deri më 30 nëntor. Por nëse demokratët nuk shkojnë në zgjedhje me Ramën, përse Berisha po përgatit kandidatët për zgjedhjet që organizohen nën qeverisjen socialiste? Nëse zgjedhjet nuk kanë legjitimitet pa qeveri teknike, përse po aktivizon mekanizmin elektoral të partisë? Pra ndërsa Rama vijon qeverisjen, PD-ja mbetet e përqendruar te refreni i qeverisë teknike, ndërsa baza pret, strukturat konsumojnë energji dhe zgjedhjet vendore po afrohen.
Tani, papritur, hapet gara për kandidatët, duke treguar se përgatitja për zgjedhje po ecën paralelisht me deklaratat se nuk do të ketë zgjedhje me Ramën. Pyetja që djeg sot PD-në është e thjeshtë: nëse nuk do të garosh me Ramën, përse po përgatit kandidatët për zgjedhjet e tij? Demokratët meritojnë përgjigje, jo një tjetër sezon pritjeje! Sepse një opozitë që shpall bojkotin me fjalë, por përgatit listat me vendime, duhet të shpjegojë se cila është strategjia e saj reale. Kujtojmë se studentët e kanë nxjerrë opozitën jashtë loje.





