Aktualitet

Skandali me SHISH, paralajmëron Artan Hoxha: Pas Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit fshihet një gjë e madhe

Gazetari Artan Hoxha ka folur lidhru me çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Hoxha paralajmëroi se informacionet e bëra publike deri tani janë të pakta, ndërsa ngriti pikëpyetje edhe për persona të tjerë që qëndrojnë pas emrave që janë përmendur publikisht.
Gazetari Artan Hoxha teksa ka folur për çështjen e ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, deklaroi se ajo që është bërë publike deri tani nuk jep panoramën e plotë të materialeve të dosjes.
I ftuar në “News 24”, Hoxhau pyet se çfarë përmban dosja dhe cilat janë elementet me interes publik që lidhen me Hysenin.

Sipas tij, përmbajtja e plotë e dosjes është e njohur vetëm nga personat që po punojnë drejtpërdrejt me materialin hetimor. Hoxha e cilësoi çështjen si shumë sensitive dhe tha se është bërë përpjekje për të shmangur rrjedhjen e informacioneve.
“Çfarë ka dosja saktësisht e dinë vetëm… As prokurorët nuk besoj se e dinë, vetëm oficerët e policisë gjyqësore që merr BKH-ja. Po të jemi të qartë për këtë. Aq më tepër që çështja është shumë sensitive dhe prokurorët janë përpjekur që të mos rrjedhë informacion”, deklaroi Artan Hoxha.
Gazetari shtoi se informacioni që është bërë publik deri tani është i kufizuar, por, sipas tij, ka dhënë disa të dhëna për natyrën e çështjes.
“Edhe ai që ka dalë, shumë, shumë pak, por gjithsesi ka dhënë një lloj ngjyrimi, pra është një pigment që është hedhur. Pra, informacioni në vetvete është krejt… Imagjinojeni, është marrë telefoni i shefit të shërbimit informativ. Problemi që do ketë SPAK është deri ku duhet ta kufizojë atë dhe të mos merret me pjesën tjetër”, u shpreh gazetari.
Hoxha ngriti pikëpyetje për rrethin e personave që mund të shfaqen në materialet e çështjes, duke përmendur edhe Ergys Agasin. Sipas tij, vëmendja nuk duhet të kufizohet vetëm te personat emrat e të cilëve janë bërë publikë deri tani.
“Merret vetëm me çështjen që të penalizojë zonjën në fjalë, një rreth të ngushtë të personave të cilët i kanë shërbyer asaj, Ergys Agasit dhe koordinatorit. Kur themi koordinator, Gysi nuk është thjesht një Gysi. Mbas Gysit është një gjë e madhe. Gysi është një e teta, që duket; shtatë-tetë ne nuk i shohim”, deklaroi Hoxha.
Gazetari nuk dha emra apo të dhëna konkrete për personat të cilëve u referohej me këtë deklaratë, ndërsa pretendimet e tij nuk u paraqitën gjatë intervistës si përfundime të organeve hetimore.
Një tjetër pikë ku Hoxha u ndal ishte vendimi i GJKKO-së për masën e sigurisë. Sipas tij, ky dokument përmban informacione të rëndësishme për çështjen, por komunikimet që mund të jenë pjesë e materialit nuk duhet të publikohen të shkëputura nga konteksti.
“Vendimi i masës së sigurisë, që të them unë, është një minierë e dosjes në vetvete. Pra, aty është e përcaktuar qartë që në media nuk duhet të dalë dhe unë mendoj që nuk duhet të dalë ai lloj informacioni, sepse janë komunikime të shkëputura nga konteksti”, u shpreh Hoxha.
I pyetur nëse ai vetë do t’i publikonte këto materiale në rast se do t’i kishte në dispozicion, Hoxha u përgjigj se nuk do ta bënte një gjë të tillë dhe se do të kërkonte informacionin përmes burimeve të tjera.
“Unë jo. Unë do të mundohesha që, ashtu siç kam bërë, pra informacionin e kam marrë nga krahu tjetër, e kam marrë nga rruga, kam marrë nga agjencia shtetërore, sepse na rezultoi që agjencia shtetërore gënjen më shumë se krimi”, deklaroi Artan Hoxha./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button