Arjola Demiri irionizon me rastin e Vlora Hysenit: “Fifty Shades of Gysi”, bëjmë kot shkollë për artin – vëmendjen e marrin politikanët

Aktorja e njohur shqiptare Arjola Demiri ka reaguar me ironi ndaj zhvillimeve të fundit rreth ish-drejtoreshës së SHISH-it në Shqipëri dhe ish-drejtoreshës së AKI-së në Kosovë, Vlora Hysenit.
Hyseni është bërë pjesë e një hetimi të SPAK-ut, ndërsa në ditët e fundit janë bërë publike pjesë nga komunikimet e saj me biznesmenin Ergys Agasi. Në njërin prej mesazheve, sipas materialeve të publikuara në media, Hyseni i shkruante Agasit se do t’i “fik[te] radarët e shtetit”.
Duke iu referuar kësaj situate, Demiri ka publikuar në Instastory një fotografi-montazh të Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, të përpunuar në formën e posterit të filmit të njohur “Fifty Shades of Grey”. Në vend të titullit origjinal, aktorja ka vendosur mbishkrimin ironik “Fifty Radars of Gysi”.
Përmes këtij postimi, aktorja tropojane ka ironizuar jo vetëm situatën e fundit, por edhe mënyrën se si ajo ka tërhequr vëmendje të madhe publike.
“Bëjmë shkollë kot ne për artin… vite të tëra studime, punë, skenë, filma e produksione, kur në fund vëmendjen, views, komentet dhe likes i marrin amatorët e skenës politike. Ç’na duhen akademitë, talenti dhe profesionalizmi?! Na duhet vetëm një radar dhe pak zhurmë. Pffff…”, ka shkruar Demiri.

Ajo ka vijuar me kritikat e saj për atë që e sheh si një përmbysje të vëmendjes publike, duke pretenduar se arti po lihet në plan të dytë përballë skandaleve që përfshijnë figura publike.
“Në këtë vend, duket se arti duhet të hapë rrugë për spektaklin e këtyre që nga dita në ditë secili nxjerr nga një skandal dhe skenarë për të fshehur problematikat reale dhe të rënda që ka ky vend. Për të tjerat… na rroftë diploma!”, ka përfunduar aktorja.
Reagimi i Demirit vjen në një kohë kur komunikimet e publikuara mes Hysenit dhe Agasit kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, ndërsa çështja vijon të jetë pjesë e hetimeve të autoriteteve shqiptare. /Telegrafi/




