Regjistrimi i kontratës së shitjes në Kadastër, procedura dhe dokumentet e nevojshme

Regjistrimi i kontratës së shitjes në regjistrin kadastral është një nga procedurat kryesore që duhet të ndjekë një qytetar pas blerjes së një pasurie të paluajtshme. Përmes këtij procesi konfirmohet dhe pasqyrohet e drejta e pronësisë në favor të blerësit në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Nëse kërkesa për regjistrimin e kontratës paraqitet brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i saj, shërbimi i regjistrimit kryhet pa kamatëvonesë. Për këtë arsye, blerësit duhet të kujdesen që procedura të nisë brenda këtij afati dhe të mos e shtyjnë regjistrimin e pronës së blerë.
Aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania. Pas identifikimit në portal, qytetari duhet të zgjedhë shërbimin “Aplikim për regjistrimin e kontratave të shitjes – KP1”, të plotësojë formularin elektronik dhe të ngarkojë dokumentacionin e kërkuar në format PDF.
Pas plotësimit të aplikimit, gjenerohet mandati përkatës. Pagesa mund të kryhet online, në bankë ose pranë pikave të Postës Shqiptare.
Për regjistrimin kërkohet kontrata e shitjes, së cilës duhet t’i bashkëlidhen certifikata e pronësisë, kartela e përditësuar dhe harta kadastrale. Pjesë e dokumentacionit është edhe certifikata familjare ose martesore e palës blerëse.
Kur pasuria e transferuar është ndërtesë, kërkohet gjithashtu vërtetim nga bashkia përkatëse për shlyerjen e taksës së ndërtesës. Në rastet kur gjen zbatim, duhet të paraqitet edhe mandati që vërteton pagesën e tatimit ose taksës për kalimin e pronësisë.
Procedura parashikon që kur kontrata e shitjes lidhet ndërmjet ndërtuesit, zhvilluesit apo investitorit dhe blerësit, në dokumentacion duhet të përfshihet kontrata e sigurimit 10-vjeçar në favor të blerësit.
Nëse aplikimi nuk kryhet personalisht nga pronari ose bashkëpronari, duhet të paraqitet edhe akti i përfaqësimit, përkatësisht prokura. Dokumentacionit i bashkëlidhet gjithashtu mandati i pagesës së shërbimit.
Procedura nuk përfundon vetëm me ngarkimin elektronik të dokumenteve. Dokumentacioni origjinal duhet të dërgohet me postë në adresën e drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që administron zonën kadastrale ku ndodhet pasuria.
Regjistrimi në kohë merr rëndësi të veçantë për blerësin, pasi është procesi përmes të cilit kalimi i pronësisë pasqyrohet në regjistrin kadastral në favor të tij. Për këtë arsye, respektimi i afatit 30-ditor pas nënshkrimit të kontratës shmang kamatëvonesën dhe mundëson përfundimin në kohë të procedurës së regjistrimit./ekofin.al




