NË SHQIPËRI RESTAUROHET KURANI 100-VJEÇAR
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri ka njoftuar se Laboratori Qendror i Restaurimit ka restauruar një kuran 100-vjeçar.
Kjo është realizuar në një “sallë operimi”, siç është pagëzuar Laboratori Qendror i Restaurimit, i vetmi në rang vendi.
“Ky Kuran shekullor i është nënshtruar një procesi të mirëfilltë trajtimi, të krahasueshëm me kirurgjinë”, ka njoftuar DPA në Facebook.
Tutje bëhet me dije se restaurimi i librave të shenjtë meriton një përkujdesje të posaçme.
“Dorashka, maska dhe pajime metalike, janë takëmet bazë të laboratorit, ku botimi i sjellë nga zotëruesi ka kaluar në një seri etapash, sikurse janë: dezinfektimi, pastrimi me gomat pluhur, larja në vaska, deacafikimi në vaska, pastrimi nga mbishtresat, riintegrimi i pjesëve të humbura me letër japoneze, restaurimi i kapakut, qepja e fletëve dhe lidhja e fletëve me kapakun. Ky proces pune është finalizuar me dorëzimin e Kuranit të rijetësuar tek zotëruesi”, thuhet në njoftim.
DPA ka ftuar cilindo person që zotëron një dokument të rëndësishëm që po dëmtohet dita-ditës, për ta çuar tek restauruesit të cilët do ta ‘risjellin’ në jetë.
Këtë nismë Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), e ka nisur që nga muaji tetorit të vitit 2020, nismë kjo që bën të mundur për çdo individ, person fizik, juridik, privat ose publik, të përftojë shërbimin e restaurimit të dokumenteve të tij vetjake