Çfarë do të bëjë tani “Mamica”? Nga Kongresi te Asambleja dhe Kryesia, strukturat nga të cilat përjashtohen Spiropali dhe Ndreca

Vendimi i bërë publik nga Blendi Klosi e lë Elisa Spiropalin jashtë strukturave partiake, por jo jashtë Grupit Parlamentar socialist. Pas muajsh kritikash ndaj qeverisë, mbetet pyetja nëse ajo do të ndërmarrë një hap politik apo do të vazhdojë të kritikojë Ramën në Kuvend dhe më pas të votojë në mbështetje të tij.
Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të Partisë Socialiste. Ky është qëndrimi që sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, bëri publik pas Asamblesë Kombëtare, duke sqaruar se të dy mbeten anëtarë të partisë.
Por çfarë do të thotë konkretisht përjashtimi nga forumet?
Në organizimin e Partisë Socialiste, forumet përfshijnë strukturat partiake si Kongresi, Asambleja Kombëtare, Kryesia dhe strukturat drejtuese vendore. Përjashtimi nga këto forume do të thotë se Spiropali dhe Ndreca nuk mund të marrin pjesë në to si pjesëtarë të strukturave përkatëse.
Ndryshe nga forumet partiake, Grupi Parlamentar i PS-së është strukturë që vepron në Kuvend. Për këtë arsye, përjashtimi nga forumet nuk e nxjerr automatikisht Spiropalin nga grupi parlamentar dhe nuk i prek mandatin e deputetes. Por sipas burimeve, në ditët në vijim Spiropali mund të largohet edhe nga grupi.
Por çfarë do të bëjë tani “Mamica”?
Prej disa muajsh, Spiropali ka dalë publikisht me kritika ndaj qeverisë dhe mënyrës së vendimmarrjes së saj. Megjithatë, kur debatet kanë përfunduar dhe ka ardhur momenti i votimit në Kuvend, qëndrimet e saj kritike nuk janë përkthyer domosdoshmërisht në vota kundër mazhorancës.
Një nga rastet më domethënëse është ai i reformës territoriale, të cilën Spiropali e kritikoi në sallën e Kuvendit, por në fund votoi në favor të saj.
Pra, kritika në foltore dhe vota në rresht me socialistët.
Tani që drejtimi i PS-së e ka nxjerrë jashtë forumeve partiake, pyetja bëhet edhe më e drejtpërdrejtë: A do të largohet Spiropali nga Grupi Parlamentar socialist, apo do të presë ta heqin nga aty?





