Big Brother VIP Albania 6, kush janë 13 personazhet që përfliten si banorë të edicionit të ri

Edicioni i gjashtë i “Big Brother VIP Albania” pritet të startojë më 19 dhjetor në ekranin e Top Channel, ndërsa në rrjet kanë nisur të qarkullojnë emrat e personazheve të njohur që mund të bëhen pjesë e këtij sezoni.
Sipas një liste që po qarkullon së fundmi, shtëpia më e famshme në Shqipëri pritet të mirëpresë personazhe nga fusha të ndryshme të jetës publike, përfshirë këngëtarë, moderatorë, gazetarë dhe figura të njohura të rrjeteve sociale.
Mes emrave që përfliten si konkurrentë të mundshëm janë Eugent Bushpepa, Meriton Ademi, Dafine Aliu, Fero, Meriton Rama dhe Mira Konçi. Në listë përfshihen gjithashtu moderatori dhe këngëtari Robert Berisha, gazetarja Viola Spiro dhe gazetari Syrjan Rahova.
Edhe personazhet e njohur të rrjeteve sociale duket se mund të kenë një vend në këtë edicion. Mes tyre përmenden Negisa Dido, fituese e spektaklit “She’s On Top”, Ina Pashollari, si dhe çifti Albi dhe Xhesiana. Një tjetër emër që ka tërhequr vëmendjen është Ledion Grishaj, i cili përflitet si një nga konkurrentët më të rinj të sezonit.
Ndërkohë, sa i përket panelit të opinionistëve, emrat që qarkullojnë janë ata të Monika Kryemadhit dhe Arbër Hajdarit. Drejtimi i spektaklit pritet t’i besohet sërish moderatorit Ledion Liço.
Megjithatë, deri më tani, lista e personazheve të përfolur nuk është konfirmuar zyrtarisht nga produksioni i “Big Brother VIP Albania”, ndaj mbetet për t’u parë se cilët prej tyre do të bëhen realisht pjesë e edicionit të gjashtë.




