Koçeku, Kapri dhe Kedhi takim në ambasadën e SHBA, çfarë sinjalesh po dërgon Uashingtoni?

Takimi zhvillohet në një moment kur mazhoranca përballet me debatet që kanë shkaktuar hetimet dhe akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të qeverisjes socialiste…
Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi, kanë zhvilluar ditën e sotme një takim në Ambasadën Amerikane në Tiranë me zyrtarë të lartë amerikanë të ardhur nga Uashingtoni.
Në takim mësohet se është diskutuar situata politike në Shqipëri, përfshirë protestat dhe pakënaqësitë e shprehura ndaj qeverisë.
Prania e tre përfaqësuesve të opozitës, që vijnë nga formacione të ndryshme politike, përbën një element të veçantë të këtij takimi. Koçeku është deputete e pavarur, Kapri përfaqëson Partinë Mundësia, ndërsa Kedhi mban postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike.
Marjana Koçeku ka zhvilluar takime me diplomatë të huaj dhe ka folur në media ndërkombëtare për zhvillimet politike në Shqipëri dhe protestat. Erald Kapri është angazhuar në mbështetje të protestave, ndërsa Nikola Kedhi ka qenë aktiv në qëndrimet dhe aktivitetet politike të Partisë Demokratike.
Takimi zhvillohet në një moment kur mazhoranca përballet me debatet që kanë shkaktuar hetimet dhe akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të qeverisjes socialiste.
Një tjetër zhvillim është protesta studentore, pjesëmarrësit e së cilës kanë refuzuar kërkesat e kryeministrit për dialog.
Në këtë kontekst, takimi i Koçekut, Kaprit dhe Kedhit me zyrtarët amerikanë ngre pikëpyetje për agjendën e diskutimeve dhe qëndrimin e Uashingtonit ndaj zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri.
Ndërkohë, Partia Socialiste ka parashikuar të mbledhë ditën e sotme Asamblenë Kombëtare, ku priten edhe ndryshime. Mbledhja zhvillohet në një kohë kur kryeministri Edi Rama përballet me kritika për mënyrën e qeverisjes dhe çështjet që po shqyrton drejtësia.





