Kulture

Legjenda shqiptare “Muji dhe Halili” bëhet film – pjesë edhe Adrola Dushi e Capital T

Legjenda e njohur e ciklit të Kreshnikëve pritet të marrë jetë në ekranin e madh përmes filmit të ri të Turjan Hyskos, “Muji dhe Halili”.

Produksioni ka tërhequr vëmendjen që në fazat e para, ndërsa pjesë e kastit janë bërë të ditur edhe dy emra të njohur për publikun: reperi Capital T dhe modelja Adrola Dushi. 

Përfshirja e tyre në këtë projekt kinematografik ka ngjallur kuriozitet, veçanërisht për rolet që do të interpretojnë në një histori të lidhur ngushtë me mitologjinë dhe traditën shqiptare.

“Muji dhe Halili” rikthen në vëmendje personazhet legjendare të këngëve të Kreshnikëve, duke i përshtatur ato për një rrëfim kinematografik.

Nga materialet e publikuara deri tani, filmi përcjell një atmosferë të errët dhe misterioze. 

Peizazhet e mbuluara nga mjegulla, tonet e ftohta, kostumet karakteristike të epokës dhe prania e kalorësve krijojnë një botë ku aventura, përplasja dhe e panjohura duket se do të jenë në qendër të ngjarjeve.

Përtej historisë së njohur, produksioni premton një qasje vizuale që ndërthur elemente të legjendës me gjuhën e kinemasë moderne, duke sjellë një nga rrëfimet më të njohura të folklorit shqiptar para publikut të gjerë.

Në kast do të jetë po ashtu edhe prezantuesja Orinda Huta si dhe aktori e modeli, Erik Troqe.

Ky projekt do të jetë së shpejti në kinema, ndonëse akoma nuk ka një datë premierë. /Telegrafi/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button