E enjta, “prova e zjarrit” për Edi Ramën

Seanca plenare e së enjtes pritet të jetë një nga përplasjet më të nxehta politike në Kuvend, ku në rendin e ditës do të hidhet për votim drafti i Partisë Socialiste për reformën e re territoriale.
Megjithatë, llogaritë e numrave për kryeministrin Edi Rama nuk duken aspak të sigurta në letër.
Publikisht, deputetja Marjana Koçeku, ish-pjesëtare e grupit parlamentar të PS-së që tashmë vepron si e pavarur, i ka thyer përfundimisht shpresat e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Koçeku ka konfirmuar se do të votojë me ndërgjegje dhe absolutisht kundër këtij projektligji, pavarësisht presioneve politike.
Ajo u shpreh e bindur se edhe brenda radhëve të PS-së do të ketë deputetë të tjerë që do ta kundërshtojnë hartën e re me një votë të përgjegjshme, duke sfiduar mosbindjen ndaj urdhrit partiak.
Llogaritja e numrave: Si shembet shumica e cilësuar
Në leter dhe teorikisht, mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama numëron 83 mandate të vetat, të cilave u shtohen edhe 3 deputetë nga PSD-ja, duke e çuar totalin ideal në 86 mandate.
Por, realiteti parlamentar për të enjten paraqet një skenar krejt ndryshe:
85 mandate: Me largimin dhe votën e deklaruar kundër nga Marjana Koçeku, totali zbret menjëhatë në 85.
84 mandate: Mungesa e Belinda Ballukut, e cila vijon të mos jetë e pranishme në Kuvend, e zbret numrin e votave pro në 84.
82 mandate: Situata komplikohet akoma më tej me deputetët Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.
Të dy kanë shprehur kundërshti dhe rezistencë të hapur sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, duke paralajmëruar se nuk do ta votojnë projektligjin.
Nëse ata nuk marrin pjesë në votim ose votojnë kundër, numri i votave pro zbret në 82.
Përmbi këto numra që tkurren, në listën e të lëkundurave renditet edhe Elisa Spiropali, qëndrimi i së cilës mbetet në pikëpyetje dhe shton edhe më shumë pasigurinë brenda mazhorancës.
Edi Rama përballet me një test të fortë disipline parlamentare të enjten, ku rrjedhja e votave nga deputetët e tij mund ta nxjerrë jashtë loje hartën e re territoriale.




