Unë do martohem me Eli Farën!

Nga Bledi Mane
E dua sepse këngët e saj do jetojnë më gjatë se çdo lajm i poshtër dhe pervers.
E dua sepse kurrë nuk urreu, nuk xhelozoi dhe kurrë nuk luftoi asnjë kundërshtar, asnjë koleg apo artist tjetër. E dua sepse si grua beqare nuk tradhëtoi as bashkëshort e as të dashur.
Besoi verbërisht te një njeri, te një koleg dhe ky i fundit e preu në besë dhe e poshtëroi.
E dua Eli Farën sepse ia di fuqinë dhe kjo grua do ringrihet përsëri, këtë gjëmë do e konturojë në art dhe ka për ti kënduar baladë trishtimi vetes së saj e më pas do të reflektojë.
Do reflektojë për të ndriçuar veten dhe të tjera gra që linçohen e poshtërohen me të vetmen arsye pse besojnë, pse dashurojnë, pse puthen dhe pse falin kënaqësi.
Unë e dua Eli Farën sepse dua femrën mëkatare porsi Eva e Edenit, dua Eli Farën sepse dua artistin ashtu siç është me teka, me mëkate, me suksese, me dështime, me urime e me mallkime:
Rrugës e trishtuar dikush po ecën
Një e poshtëruar dhe fare vetëm
Besimin që humbi duke kërkuar
Si i erdhi fundi, iku dhe e la
Ndoshta rri e fshehur, diku në pyje,
apo rri e ndezur, atje me yjet,
dhe përgjon nga larg botën hipokrite…/thuaje.al




