Zbulohen detajet e para për Big Brother VIP, mes konkurrentëve një çift nga diaspora dhe një ish-banor!

Teksa kanë nisur përgatitjet për sezonet e reja të “Big Brother VIP Kosova” dhe “Big Brother VIP Albania”, kanë filluar të qarkullojnë edhe informacionet e para për konkurrentët e mundshëm.
Gazetarët Agon Rexhepi dhe Elton Tozaj, gjatë një diskutimi në emisionin “Ora7”, kanë ndarë disa detaje për personazhet që mund të bëhen pjesë e dy formateve, pa zbuluar emrat e tyre.
Rexhepi tregoi se ditët e fundit ka parë disa figura publike pranë ambienteve të Klan Kosovës, duke lënë të kuptohet se vizitat e tyre mund të lidhen me sezonin e ri të BBVK.
“Unë i di disa detaje të reja. Disa njerëz që i kam parë afër në hapësirat tona, nuk mendoj që vizitat e tyre kanë qenë të rastësishme”, u shpreh ai.
Një prej informacioneve që tërhoqi më shumë vëmendje lidhet me një çift të njohur në TikTok. Sipas Rexhepit, bëhet fjalë për dy shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe kanë një numër të madh ndjekësish në këtë platformë.
Ai tha se çifti është parë për dy ose tri ditë radhazi pranë ambienteve të televizionit. Megjithatë, identiteti i tyre nuk është zbuluar dhe deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për pjesëmarrjen në BBVK.
Ndërkohë, emra nga “Big Brother VIP Kosova” mund të shfaqen këtë sezon edhe në formatin shqiptar.
Rexhepi foli për një ish-banore të BBVK-së, e cila mund të bëhet pjesë e “Big Brother VIP Albania”, ndërsa Elton Tozaj deklaroi se një ish-banor shqiptar i formatit në Kosovë ka marrë tashmë ftesë për BBVA.
“Unë mund të të konfirmoj që zyrtarisht ftesën për në Big Brother VIP Albania e ka marrë vetëm një ish-banor nga Shqipëria që ka marrë pjesë në Big Brother VIP Kosova”, deklaroi Tozaj.
Sipas tij, ftesa është bërë gjatë javës së kaluar, ndërsa informacionin e ka verifikuar përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me personin në fjalë.
Emri i ish-banorit nuk është bërë publik dhe mbetet e paqartë nëse ftesa do të përfundojë me një marrëveshje për pjesëmarrjen në BBVA.




