Politike

Grid Rroji zbulon çfarë po ndodh pas dyerve të pushtetit, paralajmëron fundin e sistemit 35-vjeçar dhe nxjerr skenarin që mund të ndryshojë fatin e Shqipërisë, ç’pritet të ndodhë me Ramën dhe kush po përgatitet të marrë kontrollin e vendit

Analiza e drejtpërdrejtë e pedagogut të Universitetit CUNY në New York, Grid Rroji, e dhënë në një intervistë për podkastin “Agora News”, zbërthen me detaje atë që po ndodh pas dyerve të mbyllura të politikës shqiptare. Përmes një skanimi të thellë të realitetit politik dhe shoqëror, Rroji paralajmëron fundin e pashmangshëm të sistemit 35-vjeçar, zhvesh inskenimet e parisë sunduese dhe paraqet të vetmin skenar që mund të ndryshojë përfundimisht fatin e Shqipërisë. Ai thekson se drita e vetme në fund të tunelit mbetet rinia shqiptare që mbush sheshet e protestave. Në të njëjtën kohë, ai vëren se koha e figurave të vjetra politike ka perënduar përfundimisht. “Unë dua ta shoh dritën në fund të tunelit tek rinia shqiptare, tek ata të rinj e të reja që unë pashë në protestë sepse dola disa herë. Tek ata që e kanë këtë çështje jete ose vdekje, e kanë këtë çështje të ardhmeje, janë ata që janë angazhuar, që edhe kur nuk janë fort të qartë për çka duhet bërë, e dinë se e drejta dhe e mira duhet të ndahet nga e keqja dhe nga skllavëria në të cilën po i fut kjo pari. Shenjë pozitive është fakti që çdo lloj force e vjetër, sado që përpiqet të imponohet, nuk arrin dot më të tërheqë një masë njerëzish. Ka njerëz që ndjekin turthin e gështenjave të Sali Berishës, por ata janë pak. Ka njerëz që ndjekin këto partiçkat e vogla, po krijohen edhe të reja tanimë. Bile po zihen për emrat: kush e ka emrin Partia e Diasporës e kush është e Diasporës së Lirë, kush është e Diasporës së Skllavëruar… Po këto pastaj janë gjëra që mund t’i trajtojë më mirë Portokallia”, tha ai.

Rrëzimi i Edi Ramës dhe Sali Berishës për të ndërtuar Shtetkombin

Sipas pedagogut Grid Rroji, asnjë zgjidhje sipërfaqësore apo ndërrim i thjeshtë emrash nuk do t’i shpëtojë shqiptarët nga skllavëria. E vetmja zgjidhje reale mbetet vendosja e projektit të Shtetkombit, çka kërkon pastrimin e menjëhershëm të krerëve të sistemit 35-vjeçar. “Zgjidhja reale është vetëm një: shtetkombi i shqiptarëve. Që do të thotë – po e shpjegoj për të disatën herë sepse ndoshta duket si shumë abstrakte – që ky sistem, kjo pari antishqiptare hajnore, e cila ka krijuar një oligarki, e cila e ka shitur vendin pjesë-pjesë dhe i ka shitur tapinë këtij vendi, kjo klasë drejtuese nuk mundet më të jetë në krye. Duhet ndryshuar jo vetëm klasa drejtuese, por duhet ndryshuar edhe rruga për nga na kanë çuar këta. Duhet rifilluar, pa prishur dhe pa shkatërruar, por duke hequr qafe ato që janë peshat e rënda që mbajnë pezull shqiptarët sot, të cilët janë Edi Rama, Sali Berisha dhe të gjithë shpurat e tyre dhe të gjithë legjendat e tjerë që u vijnë rreth e rrotull. Pa u bërë kjo, nuk mund të fillojë fillimi i ri”, tha ai.

Skenari 

Për të realizuar ndryshimin rrënjësor, Rroji zbërthen hapat konkretë të strategjisë kombëtare, ndërsa lëshon një paralajmërim të fortë ndaj rrezikut të riciklimit të sistemit me figura “të reja” të kontrolluara nga vetë paria. “Pikë së pari, gjëja e parë që duhet të ndodhë është ndërgjegjësimi dhe bashkimi i të gjitha forcave të cilat e duan të mirën e Shqipërisë në një front të vetëm unik për të rrëzuar parinë e Tiranës dhe për të zhbërë të gjitha mekanizmat të cilat ajo i përdor… Këta duhen rrëzuar me një qëllim të qartë, me një synim të qartë, dhe jo vetëm si persona, jo vetëm si grupe, por duhen rrëzuar mekanizmat që i mbajnë këta në pushtet. Sepse, siç e kam thënë shpeshherë, rreziku i madh është që këta – kanë filluar tani të hahen mes njëri-tjetrit – të arrijnë të thyejnë Edi Ramën, po ikën Edi Rama dhe vjen dikush tjetër i cili mbart këto me vete.

Mediatikisht e ndërtojnë ata menjëherë, thonë: ‘Ja ku është i riu, doli’, e të tjerë e të tjera. I kanë edhe njerëzit e tyre brenda në protestë dhe e bëjnë një çorbë derri të cilën nuk e hanë dot as derrat vetë pastaj. Pra ky është një nga rreziqet. Hapi pas rënies së kësaj parie, hapi i dytë, është organizimi i një strukture shtetërore ndoshta jo nga zeroja, por nga fillimi, për të pasqyruar këto ide kombëtare… Dhe pjesa e tretë pastaj është sakrifica.” Ndërsa ndalet te protestat e 28 Nëntorit që mbahet sot, Rroji bën thirrje që njerëzit të mos bëhen pre e pritshmërive të rreme të inskenuara nga shërbimet sekrete, por të përgatiten për një përballje të gjithanshme ndaj një regjimi që po zhduk popullsinë: “Nga pikëpamja e legjitimitetit, Edi Rama ka rënë që në verë…

Po është duke e mbajtur me dhunë pushtetin, me dhunë edhe me forcën e kartonëve… 28 nëntori do të jetë një protestë shumë e rëndësishme, e madhe… Por nuk mund të krijohen pritshmëri të rreme pa pasur diçka konkrete në mend. Por 28 nëntori duhet të jetë si një kambanë për të gjithë shqiptarët që, nëse dilet në shesh, nëse protestohet ndaj çdo qeverie, nëse nuk luftohet për të ardhmen e vet… lufta do të bëhet me të gjitha mjetet e mundshme. Mund të jetë luftë me protestë, mund të jetë luftë me bojkot, mund të jetë luftë me mospagim taksash, mund të jetë luftë me gurë në shesh nëse dikush e ndjen aty, e mund të shkojë edhe shumë përtej kësaj… Dhe të gjitha mjetet duhen përdorur që të rrëzohet ky sistem skllavërues që i mban shqiptarët skllevër të një parie kriminale antishqiptare, që kërkon të na zhdukë: që nga 3 milionë që e ka gjetur Shqipërinë, e ka lënë 1.2 milionë. 1.284.000 është shifra reale që kanë ato letrat e brendshme që nuk i nxjerrin, të cilët konsiderohen shqiptarë.”

Frika nga serverët 

Në lidhje me lëvizjet e fundit të diplomacisë amerikane dhe raportimet për fshirjen e komunikimeve nga zyrtarët e lartë, Rroji sqaron se përpjekjet për fshirjen e e-mail-eve janë qesharake pasi dosjet e politikanëve janë plotësisht të dokumentuara nga shërbimet e huaja. Ai gjithashtu demaskon iluzionet e atyre që presin shpëtim nga jashtë: “Nuk do të vijnë amerikanët të na shpëtojnë ne shqiptarët. As kanë për të ardhur, as nuk duhet të vijnë, as nuk ka asnjë lloj shansi që të vijnë. Nuk do të vijnë as anglezët, as BE-ja, as kushdo tjetër… Të vetmit që do ta shpëtojnë Shqipërinë janë shqiptarët vetë… Kjo çështja e e-mail-eve të cilat fshihen është qesharake, tregon se sa qesharakë janë këta. Merrni cilindo atje nga ata të rinjtë e protestës dhe jua tregon shumë mirë që nëse një e-mail është i ruajtur në një server të dikujt, fshije sa të duash ti nga telefoni yt, ai e-mail qëndron. Çdo lloj gjurme është mbajtur. Ambasadori nuk flet pa pasur në dorë dosjet… SPAK është tanimë në pozicionin e vet më të vështirë sepse ka luajtur me dy porta deri tani, por tani është e pamundur më të luajë me dy porta. Ata pak prokurorë që nuk janë të lidhur me fije të shumëfishta me parinë e Tiranës nuk do ta kenë të thjeshtë të veprojnë.”

Lufta brenda PS-së

Lidhur me përplasjen brenda mazhorancës socialiste – ku përfshihen figurat e Erion Veliajt dhe Elisa Spiropalit – Rroji zbulon se Edi Rama e ka humbur besueshmërinë ndërkombëtare dhe po godet bashkëpunëtorët e tij vetëm për të shpëtuar veten. “Ajo që po ndodh është një çarje e thellë brenda strukturave të Parisë së Tiranës… Edi Rama e ka humbur shkëlqimin e vet njëherë e përgjithmonë përpara ndërkombëtarëve. Përkundrazi, ai kryeministri belg bëri ca aludime të cilat nuk ishin fort të këndshme para disa ditësh. ‘Ja është kryeministri shqiptar’, tha, ‘që vjen gjithmonë nga prapa’… Pra shkëlqimi i Edi Ramës ka rënë në qarqet ndërkombëtare. Edi Rama është i kërkuar në disa shtete, ka dosje në disa shtete.

Pra Edi Rama nuk ia kryen më punën Parisë së Tiranës… Erion Veliaj është në burg dhe nuk ka çfarë të humbë më, dhe është vetë-ofruar të përfaqësojë një klan shumë të fuqishëm i cili ka rënë pak nga vakti (janë arrestuar)… Pra Edi Rama i ka sakrifikuar për të shpëtuar lëkurën e tij. Në këtë pikë ata janë rebeluar sepse nuk duan të bëhen kurban për Edi Ramën. Por njerëzit nuk duhet të harrojnë: të njëjtët njerëz që flasin sot kundër Edi Ramës, si Elisa, në momentin që u ofrohet diçka që atyre u volit, e ndryshojnë pllakën menjëherë… Erion Veliaj, nëse nesër Edi Rama i thotë: ‘Ti do të jesh pasardhësi im pas zgjedhjeve…’, Erion Veliaj e ndërron pllakën dhe thotë: ‘Edi Rama ky Skënderbe’ edhe një herë tjetër.”

Pazari me SHQUP-in

Në mbyllje, Grid Rroji demaskon marrëveshjen e heshtur me Sali Berishën (“plakun e SHQUP-it”) dhe mënyrën se si Rama i ka sunduar shqiptarët duke përdorur burgosjet dhe blerjen e gjakut, duke nëvizuar se fundi i kësaj klase politike do të shoqërohet me dënime maksimale ligjore: “Edi Rama është një njeri i cili ka vetëm një qëllim tani: të shpëtojë me nderin e vet… Nuk ka asnjë lloj qëllimi tjetër tanimë në jetë Edi Rama përveçse të shpëtojë me nderin e vet. Është i kapur nga të gjitha anët dhe po e luftojnë edhe së brendshmi… Për sa i përket faktit që ai ka miq nëpër botë, por nuk bën miq shqiptarët… Po normalisht, ai shqiptarët i ka skllevër! I ka skllevër, ka bërë marrëveshjen me atë plakun e SHQUP-it atje dhe janë rregull, i sundon shqiptarët. Gjithë të tjerët janë probleme të vogla që ai mund t’i zgjidhë o duke u blerë gjakun, o duke i futur në burg me këmbë të thyer – siç ia bëri Lali Eri – ose duke e kalbur në burg, siç kalbi Ilir Metën e të tjerë… Këta që e bëjnë këtë punë, e bëjnë me vullnet të plotë… kur të vijë dita, këta duhen dënuar me ashpërsinë më të madhe për shkak se kanë bërë të kundërtën e interesit të shqiptarëve… brenda konturave të ligjit dënimi duhet të jetë maksimal për të gjithë këta që kanë ditur ndryshe dhe kanë vepruar kundër shqiptarëve.”/sot.com.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button