“Mbase gënjeva”/ Neda Balluku rrëfen të vërtetën pas imazhit të martesës perfekte: Kisha nevojë ta besoja edhe vetë

Neda Balluku ka bërë një rrëfim të pazakontë dhe tejet të sinqertë në rrjetet sociale, ku ka vendosur të flasë hapur për mënyrën se si ka zgjedhur të paraqesë ndër vite jetën e saj familjare. Pas një periudhe të vështirë personale, ajo ka pranuar se imazhi i një martese të lumtur dhe ideale që përcillte publikisht nuk përputhej gjithmonë me realitetin që përjetonte larg kamerave.
“Mbase gënjeva”, shkruan Neda, duke sqaruar se nuk bëhej fjalë për mashtrim të qëllimshëm. Sipas saj, pas asaj që shfaqte në rrjetet sociale fshihej një dëshirë e fortë për të besuar se martesa e saj ishte pikërisht ashtu siç donte ta shihte. “Kisha nevojë ta besoja edhe vetë se ia kisha dalë të ndërtoja diçka të bukur”, shprehet ajo, duke pranuar se përmes publikimeve të saj kishte krijuar një imazh që në disa raste i kalonte kufijtë e realitetit.
Neda u ka kërkuar ndjesë ndjekësve për mungesën e sinqeritetit lidhur me jetën private, por thekson se nuk ka hequr dorë nga besimi te një marrëdhënie e shëndetshme dhe te vlera e partneritetit. Rrëfimi i saj vjen disa muaj pas një ndryshimi të madh në jetën personale, pas përfundimit të një historie dashurie që nisi 15 vite më parë.
Ajo dhe Ogreni u njohën në vitin 2010, gjatë pjesëmarrjes në edicionin e katërt të “Big Brother Albania”. Marrëdhënia vazhdoi edhe pas përfundimit të spektaklit dhe në vitin 2015 çifti u martua. Bashkë kanë tre fëmijë: dy djem, Serzh dhe Zai, dhe vajzën Suzie Ann.
Pas aludimeve për një krizë në çift, Neda konfirmoi në nëntor 2025, në emisionin “Goca dhe Gra”, se ajo dhe Ogreni kishin nisur procedurat e divorcit. Me emocione të forta, ajo tregoi se kishte qenë vetë ajo që kishte kërkuar ndarjen, pasi marrëdhënia prej kohësh nuk ishte më e shëndetshme dhe të dy jetonin tashmë të ndarë. Në qendër të vendimit, sipas saj, ishte mirëqenia e fëmijëve.
Në fund të rrëfimit të saj, Neda pranon se prej afro një viti është përballur me interpretime dhe versione të ndryshme për jetën e saj pas ndarjes. Megjithatë, ajo ka zgjedhur t’u përgjigjet me mirënjohje ndjekësve, duke i falënderuar për “mbështetjen e pakursyer, hapësirën dhe dashurinë” që i kanë dhënë gjatë kësaj periudhe./Pamfleti




