Life Style

“Në Big Brother më gjykuan”, Miri: Bashkëshortja e kuptoi saktë rolin tim

Miri i “West Side Family” rreth nëntë muaj më parë vendosi të sfidonte veten në një terren krejtësisht ndryshe, duke u bërë pjesë e edicionit të pestë të Big Brother VIP Albania.

Sipas tij, hyrja në Big Brother ishte një mundësi për t’u shfaqur para publikut pa filtrat e skenës dhe për t’u përballur me veten në mënyrën më të sinqertë.

Duke kujtuar momentet më të bukura të eksperiencës, Miri veçon dy prej tyre si të paharrueshme për ‘Bordo’:

“Momenti më i bukur është surpriza kur erdhi vajza. Dhe momenti tjetër është kur takova familjen time në finale. Këto janë dy momentet më të bukura që kam përjetuar aty brenda.”

Megjithatë, ai pranon se rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë dhe se është përballur me sfida të shumta emocionale gjatë qëndrimit në lojë.

Një rol kyç në gjithë këtë eksperiencë ka luajtur bashkëshortja e tij, të cilën Miri e konsideron mbështetësen më të madhe.

“Kam diskutuar me të para se të hyja si mund të shkonte jeta ime në Big. Kur dola kuptova sa fort e kishte analizuar lojën time edhe jashtë. Ajo ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe më ka mbështetur në mënyrë të jashtëzakonshme.”

Ai shton se bashkëshortja ka arritur ta kuptojë dhe interpretojë lojën e tij më mirë se shumë komentues apo analistë të formatit.

I pyetur për raportin me opinionisten Monika dhe perceptimin se ajo e ka favorizuar gjatë spektaklit, Miri u shpreh:

“Nuk besoj se ka qenë çështje miqësie. Ajo ka folur kur ka menduar se duhet të më mbrojë dhe më ka kritikuar kur e ka parë të arsyeshme. Ka qenë një qasje e drejtë ndaj lojës sime.”

Këngëtari nuk e fsheh se gjatë eksperiencës është ndjerë shpesh i gjykuar, veçanërisht kur është përballur me akuza apo perceptime që, sipas tij, nuk përputheshin me realitetin.

“Më ka prekur kur jam gjykuar për gjëra që nuk i kam bërë. Kur perceptimi bëhet më i fortë se e vërteta, kjo të lëndon.”

Në përfundim, Miri e cilëson Big Brother VIP si një përvojë me vlerë të madhe personale, nga e cila ka dalë me një këndvështrim ndryshe për jetën dhe njerëzit.

“Kam fituar respekt për një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare që kërkon në televizion një imazh më njerëzor, më të qetë dhe më të dashur. Kam mësuar të vlerësoj më shumë njerëzit dhe të lë pas konfliktet që janë vetëm pjesë e lojës.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button