Politike

“O luan trim, pse nuk përsërit thirrjen e protestuesve ’Rama burg, Berisha Burg’?”/ Kreu i PD i përgjigjet Braçes: Shko vish fustanin e Spiropalit, ajo meriton…

Protestat disamujore kundër qeverisë së Edi Ramës dhe tubimi mbarëkombëtar i paralajmëruar për 28 nëntorin kanë ndezur debatet mes mazhorancës dhe opozitës në seancën plenare të kësaj të enjteje.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputeti socialist Erion Braçe janë përfshirë në një përplasje të fortë verbale, e cila ka kaluar nga ironitë dhe akuzat personale te përgatitjet që po bëhen në kryeqytet për protestën e së shtunës.

Ka qenë deputeti socialist ai që i ka kujtuar Berishës se mes thirrjeve të protestuesve gjatë marshimeve në Tiranë dëgjohet edhe slogani “Rama në burg, Berisha në burg”.

Duke iu referuar me ironi kreut të PD-së si “luan”, Braçe e ka pyetur se përse nuk i përsërit në Kuvend të njëjtat thirrje që dëgjohen në protestë. Ai ka ironizuar gjithashtu deklaratat për përmasat e tubimit të 28 nëntorit, duke argumentuar se protesta ende nuk është zhvilluar.

“Luanin që sapo dëgjova nuk arrij ta kuptoj pse këtu nuk thërret ‘Rama në burg, Berisha në burg’, por e bën atje dhe këtu nuk e bën. Cila është arsyeja që një luan trim nuk bërtet edhe këtu? Ky është një problem moral. Si mundet një pedagog të vijë këtu të thotë ‘po do ta djeg Ministrinë e Arsimit se e dua’, ky është një problem i madh moral. Dhe të thuash që më 28 nëntor protesta është madhështore, kur ajo nuk ka ndodhur, është një problem logjik që nuk më rri”, deklaroi Braçe.

Berisha iu kundërpërgjigj deputetit socialist duke përfshirë në debat edhe Elisa Spiropalin, ndërsa më pas e zhvendosi vëmendjen te ndërhyrjet që po kryhen në trotuaret e kryeqytetit, vetëm dy ditë përpara protestës.

Kreu i PD-së akuzoi autoritetet se po heqin pllakat e trotuareve nga frika se ato mund të përdoren nga protestuesit. Sipas Berishës, këto ndërhyrje përbëjnë provokim ndaj qytetarëve që prej muajsh protestojnë kundër qeverisë.

“Shko e vish fustanin e Elizës, se ajo meriton ato të tjerat. Ty po, kush… ty e kam. Së pari.

Së dyti, mos provokoni qytetarët. Provokacione të ulëta keni filluar. Ju, fyeni qytetin, fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo ngritja e trotuarëve që po bëni? Inatçinj dhe provokatorë. Keni frikë se mos protestuesit do të çojnë pllakat e trotuarëve? Po pse nuk mund t’i mbushin ata xhepat me gurë? Pse i provokoni? Ata kanë qenë paqësorë. Por ky akt që bë keni bërë. A e keni parë çfarë keni bërë tek Pazari i Ri, po çoni kudo trotuaret. Absolutisht e bëni vetëm për të nxitur dhunë. Për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani. Nuk ka, kjo është betejë që s’ndalet më. Ta keni të qartë. Jeni të pashpresë dhe po tregoheni të papërgjegjshëm. Si mundet të flisni, si mund të veproni në këtë mënyrë ju? Ngrini trotuarët tani dhe në qoftë se ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh një pemë për të hedhur ndonjë vezë do prisni pemët e Tiranës? Çfarë jeni bërë kështu, more? Çfarë qeniesh jeni ju? Po të paktën të keni kurajon, se keni një përgjegjësi. Përgjegjësia juaj është se e mbështesni. Se e mbështesni apo jo? Ndaj edhe turpi, dekreti është i turpshëm, nuk mund të votohet dekreti, nuk mund të votohet, sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë të pavotueshëm në parlament. Absolutisht! Nuk votohet një dekret i ndryshuar i Këshillit të Ministrave. Prandaj hiqe nga rendi i ditës edhe ndaloni urgjentisht ngritjen e trotuarëve. Mos prekni trotuarët. Do të shpëtoni kokat tuaja duke shkatërruar trotuaret? Jo, nuk është kjo rruga”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button