Politike

Nga protestat kundër Ramës në politikë, studentët shpallin partinë e parë

Pas afro dy muajsh protestash, një grup studentësh ka njoftuar themelimin e partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”, duke i dhënë një dimension të ri politik lëvizjes studentore.
Pas afro dy muajsh protestash kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, lëvizja studentore në Shqipëri po hedh hapat e parë drejt organizimit politik.

Një grup studentësh, së bashku me të rinj e pedagogë, kanë shpallur themelimin e një partie të re politike me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”.

Nisma shënon përpjekjen e parë për ta shndërruar në një alternativë politike pakënaqësinë e shprehur prej javësh në rrugë dhe sheshe.

Në një deklaratë për mediat, një prej studenteve që përfaqëson grupin bëri të ditur se nisma është e hapur për të gjithë ata që besojnë se Shqipëria mund të qeveriset mbi bazën e drejtësisë, meritokracisë, përgjegjësisë dhe transparencës.

“Për 180 ditë, mijëra të rinj dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria është e bashkuar. Kjo parti do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës”, u shpreh studentja.

Sipas saj, forca e re politike nuk do të mbështetet në një program të hartuar pas dyerve të mbyllura, por synon të ndërtojë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me qytetarët në qytete dhe fshatra.

“Ne nuk bëjmë premtime, vendosim standarde. Çdo angazhim i yni do të ketë një objektiv të matshëm, përgjegjësi me emër, kosto dhe afat. Do ta masim publikisht dhe do ta kontrollojmë. Kur nuk e arrijmë, do ta shpjegojmë dhe do të tregojmë si do ta korrigjojmë”, deklaroi ajo.

Përfaqësuesja e studentëve bëri të ditur se ka nisur edhe mbledhja e firmave të nevojshme për krijimin e subjektit politik, ndërsa në ditët në vijim pritet të zhvillohen takime me qytetarët në zona të ndryshme të vendit.

“Ftojmë çdo shqiptar të bashkohet. Të gjithë të bashkuar për Shqipërinë”, ishte mesazhi përmbyllës i deklaratës.

Shpallja e forcës së re politike vjen në një kohë kur studentët kanë zhvilluar protesta të përnatshme kundër qeverisë Rama, ndërsa të shtunën është paralajmëruar një protestë kombëtare, për të cilën organizatorët presin pjesëmarrje masive.

Zhvillimet në Shqipëri sjellin në vëmendje edhe shembullin e lëvizjes studentore në Serbi, ku mobilizimi i të rinjve arriti të shndërrohej në një lëvizje të gjerë qytetare, duke ushtruar presion të konsiderueshëm mbi pushtetin.

Mbetet për t’u parë nëse studentët shqiptarë do të arrijnë të zgjerojnë mbështetjen përtej radhëve të tyre, të ruajnë vazhdimësinë e protestave dhe ta shndërrojnë pakënaqësinë qytetare në një faktor real politik përballë qeverisë Rama.

Protesta kombëtare e së shtunës pritet të jetë një nga testet e radhës për forcën mobilizuese të kësaj lëvizjeje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button