Bylykbashi lëshon “silurin” e dytë ndaj Berishës: Largohem si drejtues politik, kështu i hapet rruga ripërtëritjes

Pas platformës për demokratizimin e partive, kufizimin e mandateve të kryetarëve dhe qarkullimin e lidershipit, Oerd Bylykbashi njofton largimin nga detyra e drejtuesit politik të PD-së në Durrës, duke e argumentuar vendimin me nevojën për ripërtëritje.
Pas platformës me dhjetë propozime, Oerd Bylykbashi ka lëshuar “silurin” e dytë politik, këtë herë në prani të vetë Sali Berishës, gjatë takimit që kryetari i Partisë Demokratike po zhvillon me demokratët e Durrësit.
Deputeti demokrat ka njoftuar se një javë më parë ka dorëzuar detyrën e drejtuesit politik të qarkut Durrës, por ajo që merr rëndësi politike në deklaratën e tij është argumenti me të cilin ka shoqëruar largimin: vetëm në këtë mënyrë çohet përpara ripërtëritja.
“Dëshiroj t’ju falënderoj, sepse kjo është hera e fundit që ju drejtohem si drejtues politik i qarkut Durrës. Një javë më parë kam dorëzuar detyrën. Mendoj që vetëm në këtë mënyrë çohet përpara ripërtëritja. Kushdo ta marrë detyrën, i uroj ta çojë përpara PD-në drejt fitores”, deklaroi Bylykbashi.
Deputeti demokrat bëri edhe një dallim mes largimit nga funksionet drejtuese dhe largimit nga beteja politike, duke theksuar se kontributi në parti nuk kushtëzohet nga mbajtja e një posti.
“Kush largohet nga beteja është tradhtar, por kush largohet si unë është aty për të luftuar si ushtar i thjeshtë”, tha ai.
Deklarata e Bylykbashit në Durrës vjen pas platformës politike që deputeti demokrat paraqiti disa javë më parë, në të cilën kërkonte t’i jepej fund përqendrimit të pushtetit në duart e një personi në partitë politike, mitizimit të liderit si i pazëvendësueshëm dhe qëndrimit të përjetshëm në funksionet drejtuese.
Në atë platformë, Bylykbashi kërkonte qarkullimin demokratik të lidershipit, rinovimin e strukturave drejtuese dhe kufizimin në dy mandate radhazi të qëndrimit të kryetarëve të partive dhe drejtuesve të forumeve e strukturave në bazë, duke llogaritur edhe mandatet e mëparshme.
Ai kërkonte gjithashtu që listat e kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë të mos ishin më monopol i kryetarëve të partive, por të kishin pëlqimin e anëtarësisë dhe komunitetit.
Propozimet përfshinin edhe hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor, shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, rikthimin e referendumeve, transparencën e financimeve partiake dhe shkëputjen e partive nga individët e përfshirë në veprimtari kriminale.
Siç kemi evidentuar edhe në shkrimin e mëparshëm, ndonëse platforma u drejtohej të gjitha partive politike, një pjesë e konsiderueshme e propozimeve prekin drejtpërdrejt edhe mënyrën e organizimit dhe drejtimit të Partisë Demokratike.
Nëse në platformën e parë Bylykbashi kërkonte qarkullimin e lidershipit dhe ripërtëritjen e drejtimit të partisë, këtë herë ai e ka konkretizuar këtë parim me largimin nga funksioni që mbante vetë.
Madje, në përfundim të fjalës së tij, Bylykbashi iu referua pikërisht Sali Berishës për të nënvizuar rëndësinë e qëndrimit besnik ndaj parimeve.
“Në 19 vite që kam punuar me doktor Berishën, nëse do të zgjidhja një nga mësimet e jashtëzakonshme që kam marrë, ka qenë: qëndroju parimeve pa lëkundje. Duhet t’u qëndrojmë atyre, sepse vetëm ashtu shkojmë me kokën lart drejt fitores”, deklaroi ai.
Bylykbashi nuk i kërkoi nominalisht Berishës të largohej, por në prani të tij artikuloi një parim të qartë politik: largimi nga një post drejtues nuk nënkupton braktisjen e partisë dhe as të betejës politike. Por ajo është mënyra e duhur e ripërtëritjes. Berisha e di se për sa kohë është aty si kryetar, Rama nuk lëviz. Qytetarët kanë nevojë për alternativë dhe Berisha nuk është i tillë. Tani po ja thonë dhe të vetët, por të shohim a do të reflektojë. /Pamfleti





