Lajme

“Fatura” 6 milionëshe e Xhensila Myrtezajt; akuza për fshehje të ardhurash, Prokuroria çon këngëtaren në gjyq

Xhensila Myrtezaj dyshohet se ka shmangur detyrimet tatimore duke mos deklaruar plotësisht të ardhurat dhe duke kryer transaksione financiare me fonde të pajustifikuara.
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim këngëtaren Xhensila Myrtezaj (Kallaku), e cila akuzohet për fshehje të të ardhurave më shumë se një herë. Sipas Prokurorisë, këngëtarja dyshohet se ka shmangur mbi 6 milionë lekë detyrime tatimore gjatë viteve 2023 dhe 2024, ndërsa hetimet kanë zbuluar depozitime të konsiderueshme parash dhe transaksione financiare me burime të pajustifikuara.

Hetimet, të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 5824/2024, janë përqendruar te lëvizjet financiare të këngëtares, përfshirë transaksionet me pasuri të paluajtshme, depozitimet në para fizike dhe tërheqjet e shumave të konsiderueshme.

Sipas Prokurorisë, nga verifikimet kanë rezultuar mospërputhje mes të ardhurave të deklaruara dhe veprimeve financiare të kryera. Hetuesit kanë konstatuar gjithashtu depozitime që nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara, si dhe tërheqje parash për të cilat nuk ka informacion mbi mënyrën e përdorimit.

Gjatë hetimeve, Xhensila Myrtezaj ka pretenduar se të ardhurat e saj janë siguruar nga aktiviteti artistik, kryesisht nga koncertet e zhvilluara brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Për të justifikuar shumat e depozituara, këngëtarja ka dorëzuar një deklaratë me shkrim, por sipas Prokurorisë, dokumentacioni i paraqitur ka justifikuar vetëm pjesërisht të ardhurat e pretenduara.

Nga ekspertimi kontabël ka rezultuar se për vitin 2023, Myrtezaj dyshohet se ka shmangur 2.417.311 lekë detyrime tatimore, ndërsa për vitin 2024 shuma e përllogaritur arrin në 3.658.210 lekë.

Në total, detyrimet tatimore që Prokuroria pretendon se janë shmangur gjatë dy viteve kapin vlerën e 6.075.521 lekëve.

Organi i akuzës argumenton se fshehja e të ardhurave ka ndodhur në dy vite të ndryshme kalendarike dhe për këtë arsye i konsideron veprimet si dy raste të veçanta të së njëjtës vepër penale.

Pas përfundimit të hetimeve dhe administrimit të provave, Prokuroria ka vendosur ta dërgojë çështjen për gjykim për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, të kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.

Tashmë do të jetë gjykata ajo që do të shqyrtojë provat dhe do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të këngëtares, e cila prezumohet e pafajshme deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Fshehu të ardhurat më shumë se një herë duke shkaktuar mbi 6 milionë lekë evazion fiskal, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq shtetasen Xh.K.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen Xh.K., akuzuar për veprën penale ‘Fshehje e të ardhurave’ konsumuar më shumë se një herë parashikuar nga neni 180/1 i Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimit penal nr.5824/ 2024, në analizë të të gjithë informacioneve, verifikimeve dhe veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se ka dyshime të arsyeshme se shtetasja Xh.K., është implikuar në kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i K.Penal, pasi rezulton e përfshirë në transaksione me pasuri të paluajtshme me burime të pajustifikuara fondesh, depozitime të konsiderueshme “cash” të cilat nuk justifikohen nga të ardhurat e deklaruara prej tyre, si dhe tërheqje të konsiderueshme “cash” për të cilat nuk ka informacion mbi mënyrën e përdorimit. Për të justifikuar derdhjet cash shtetasja Xh.K., ka dorëzuar një letër të thjeshtë ku deklaron se ka gjeneruar të ardhura nga koncertet brenda dhe jashtë vendit, por ato justifikohen vetëm pjesërisht.

Nga tërësia e akteve të administruara si dhe referuar aktit të ekspertimit kontabël, provohet se e pandehura Xh.K., për vitin 2023, ka shmangur nga detyrimi tatimor (evazion fiskal) e llogaritur nga eksperti shumën totale 2 417 311 Lek. Ndërsa për vitin 2024, ka shmangur nga detyrimi tatimor të llogaritur nga eksperti shumën totale 3 658 210 Lek.

Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë u provua se nga e pandehura është realizuar shmangia nga detyrimi tatimor në dy vite të ndryshme kalendarike të veçanta, ku secili vit përmban fshehjen e qëllimshme të të ardhurave, e në këto rrethana veprat penale janë kryer të pavarura me njëra-tjetrën.

Sa më sipër në bazë të akteve të administruara dhe te analizuara provohet se shtetasja Xh.K., ka konsumuar veprën penale “Fshehje e të ardhurave” dy herë, parashikuar nga neni 180/1 i K. Penal dhe çështja në ngarkim të saj dërgohet për gjykim./Pamfleti

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button