“Do ta çojnë vendin në konflikt social”, Lapaj paralajmëron Ramën: Nuk ka më rrugëdalje

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka paralajmëruar se Shqipëria mund të përballet me konflikt social nëse qeveria nuk garanton zgjedhje të ndershme dhe nuk u jep zgjidhje problemeve që shqetësojnë qytetarët.
Gjatë një interviste në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Lapaj akuzoi kryeministrin Edi Rama se përdor burimet shtetërore për të ruajtur pushtetin, duke penguar zhvillimin e një gare të barabartë politike.
Sipas tij, situata kërkon një zgjidhje politike që të krijojë kushte të ndershme konkurrimi. Në të kundërt, pakënaqësia e qytetarëve mund të çojë në përshkallëzim të tensioneve.
“Kjo histori, po vazhdoi ta drejtojë Edi Rama pushtetin dhe të vazhdojë të organizojë zgjedhje duke përdorur të gjitha resurset e shtetit, nuk ka zgjidhje. Ndaj ose do të marrë zgjidhje politike, ose, siç u kam thënë para një viti, kur dola para Kryeministrisë dhe thoshin: ‘Nuk çohen shqiptarët!’, u thashë: ‘Do të çohen’. Sot po ju them, nëse nuk adresohen në mënyrë të shëndetshme, pa hile, dhe më në fund të bëhet paqe sociale, garë dhe më i miri të fitojë, ju garantoj që këta do ta çojnë vendin keq e më keq, në konflikt social, sepse nuk ka rrugëdalje”, u shpreh Lapaj.
Drejtuesi i “Shqipëria Bëhet” e lidhi rrezikun e përplasjeve sociale edhe me gjendjen ekonomike dhe kushtet e jetesës. Ai përmendi mungesën e medikamenteve në spitale, problemet me pensionet dhe largimin e të rinjve nga vendi si çështje për të cilat kërkoi përgjegjësi nga qeveria.
Lapaj argumentoi se këto probleme përbëjnë forma të dhunës ndaj qytetarëve dhe kritikoi qëndrimin e pushtetit ndaj reagimeve të tyre.
“Këta thonë tallemi me ne, të shtypim, të vjedhim, të lëmë pa ilaçe, dhe pastaj ti kur çohesh të themi: ‘Ah, jo dhunë!’. Po ti po më dhunon se po më vret fëmijën në spital pa ilaçe, po ti po më dhunon sepse po më lë pa pension, po më dhunon sepse po më largon fëmijën në 2026-ën nga atdheu”, shprehet Lapaj.
Ai këmbënguli se shmangia e konfliktit social kërkon trajtimin e problemeve të qytetarëve dhe krijimin e kushteve për një proces zgjedhor ku forcat politike të konkurrojnë pa përfituar nga përdorimi i burimeve shtetërore.





