Si u “shkri” PD e Korçës nga intrigat dhe servilizmi i Flamur Nokës, Edmond Spaho shpërthen me akuza të forta ndaj Sali Berishës:

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka shpërthyer në akuza jashtëzakonisht të ashpra e me ton mjaft agresiv menjëherë pas përmbylljes së procesit të zgjedhjeve brenda degës lokale të PD-së në Korçë.
Rezultati i nxjerrë nga kutitë e votimit për drejtuesin e ri të kësaj dege, i cilësuar nga kritiku i brendshëm si një proces plotësisht i paracaktuar dhe i dirigjuar, ka rindezur flakët e përplasjes publike brenda kupolës opozitare. Sipas Spahos, fituesit e certifikuar në këtë garë nuk janë gjë tjetër veçse pjellë e një “çorbe” politike të gatuar në prapaskenë nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka dhe me lejen e drejtpërdrejtë të Sali Berishës.
Duke zbërthyer me shifra shkatërrimin organizativ, ish-deputeti rikujtoi se ndërsa në vitin 2021 PD ishte vetëm 2.500 vota prapa PS-së në të gjithë qarkun, marrja e kontrollit nga Noka në vitin 2022 shënoi nisjen e rënies së lirë. Në denoncimin e tij në rrjetet sociale, ai nënvizoi se në vend të forcimit të strukturave, prej vitit 2022 u përjashtuan kryetarët historikë që ngritën dhe sakrifikuan për Rithemelimin në Korçë. Në krye të degëve u parashutuan dhe u promovuan me forcë individë servilë, besnikë të mbetur nga linja e Lulzim Bashës si dhe drejtues të ashtuquajtur “UFO” të imponuar nga Tirana.
Fatura e kësaj politike spastruese u pagua rëndë në zgjedhjet e vitit 2025, ku hendeku mes opozitës dhe mazhorancës u thellua në shifrën rekord dhe dramatike prej 22 mijë votash humbjeje. Z. Spaho denoncoi hapur se pavarësisht këtij debakli historik elektoral, askush në kupolën e partisë nuk mbajti përgjegjësi dhe as nuk u mor mundimi për të bërë një analizë të vetme dështimi.
Përkundrazi, ai u shpreh se drejtuesit e PD-së vijojnë të sillen në mënyrë qesharake si fitimtarë, ndërsa baza e opozitës dhe demokratët e thjeshtë i kanë braktisur masivisht. Sipas tij, reagimi i bazës erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë e padurueshmërisë ndaj nepotizmit, arrogantizmit, vulgaritetit dhe palaçollëqeve të rrethit të ngushtë që i qëndron prapa Flamur Nokës.
“Ç’të mbjellësh do të korrësh”, është paralajmërimi i prerë që ish-deputeti u dërgon nga Korça lidershipit qendror, duke ia bërë të qartë se fatura e mashtrimit do të rëndohet akoma më shumë. Ai nënvizoi me tone kërcënuese se në zgjedhjet e ardhshme vendore, opozita do të marrë një goditje dërrmuese që nuk e ka imagjinuar as në ëndrrat më të këqija. Ky reagim shpërthyes konfirmon krizën e thellë të besimit dhe krisjen totale institucionale ku është zhytur PD-ja në të gjithë Qarkun e Korçës.
Ndërkohë kujtojmë se këtë fundjavë u mbajt procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Korçë. Sipas rezultatit të bërë të ditur, Harito Zoto ka fituar me 398 vota, ndërsa kandidati tjetër, Mikel Dishnica, ka marrë 109 vota. Në votim morën pjesë gjithsej 517 anëtarë. Zoto siguroi një avantazh prej 289 votash ndaj Dishnicës, duke marrë mbështetjen e shumicës së demokratëve pjesëmarrës.
Postimi i plotë ish-deputetit Edmond Spaho
“Përse qaheni dhe kujt i qaheni? Ç’të mbjellësh do të korrësh. Kjo është çorba që ka gatuar Flamur Noka në Korçë që prej vitit 2022, i mbështetur nga Sali Berisha. Në zgjedhjet e vitit 2021 opozita në Qarkun Korçë mbeti vetëm 2500 vota prapa PS-së. Pas kësaj, në fund të vitit 2022, punët i mori në dorë doktor-profesori i organizimit Flamur Noka. Përjashtoi tërë kryetarët e partive që mbështetën dhe krijuan degët e Rithemelimit dhe drejtuesin e Qarkut Korçë. Vendosi në drejtim ata që i serviloseshin dhe lëpiheshin, kryesisht njerëz të Lulzim Bashës. Rezultati: në zgjedhjet e vitit 2025 humbi me 22.000 vota.
Askush nuk u shqetësua, asnjë analizë nuk u bë, askush nuk mori përgjegjësi. Të gjithë u sollën si fitimtarë. Tani janë katandisur si më keq në Korçë dhe në të gjitha degët e Qarkut. Kjo është ajo që gatuat dhe meritoni. Demokratët ju kanë braktisur sepse nuk durojnë më akraballëqet, nepotizmin, vulgaritetin, arrogancën, servilizmin, mosmirënjohjen, gënjeshtrat dhe palaçollëqet e Flamurit dhe sejmenëve që i rrinë nga pas, përfshirë drejtuesin UFO të Qarkut, që Saliu me Flamurin e vendosën pak para zgjedhjeve të vitit 2025.
Prisni se nuk ka mbaruar. Ju vazhdoni të silleni sikur të jeni fitimtarë. Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe aty do të merrni një goditje që as në ëndrrat më të këqija nuk e keni menduar. Këtë meritoni, këtë do t’ju japin qytetarët dhe demokratët e mashtruar nga ju”, shkroi ish-deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho.





