ShowBiz

“Kam qenë në shesh çdo ditë”, Aurela Gaçe flet për protestën: Të rinjtë nuk shohin të ardhme në Shqipëri

Këngëtarja Aurela Gaçe ka folur për protestat e fundit në vend, largimin e të rinjve nga Shqipëria dhe nevojën që qytetarët të ngrenë zërin për të drejtat e tyre. Artistja zbuloi se ka marrë pjesë në protesta që prej fillimit, duke theksuar se qëndrimi i saj nuk lidhet me mbështetjen ndaj ndonjë krahu politik.
E ftuara e parë në emisionin “Live me Luizin”, Aurela Gaçe prezantoi albumin e saj më të ri, “Ky vend do të shpëtojë”, i cili përmban 10 këngë.
Duke folur për titullin e albumit, këngëtarja shpjegoi se përmes muzikës ka zgjedhur të shprehë shqetësimet dhe ndjenjat e saj për Shqipërinë, duke e cilësuar këtë projekt si një formë tjetër revolte.
“Kjo është një formë tjetër revolte, kam zgjedhur që përmes vargjeve të shpreh atë që ndiej për këtë vend. Nuk mund të themi se ky vend nuk do të bëhet, ky vend do të bëhet. Para shumë kohësh në Facebook kam shkruar disa vargje dhe e kam titulluar “Letër Vlorës sime”.

Pati reagime dhe më ngacmoi për ta kthyer në këngë. Nuk ka patriotizëm, i tillë është të duash vendin tënd. Ndjeja se kishte ardhur momenti t’i jepja më shumë zonës ku jam rritur, për të mos i ngelur borxh Vlorës sime bëra këto 10 këngë.
Artistja u ndal edhe te lidhja e veçantë me qytetin e saj të lindjes, Vlorën, duke kujtuar fëmijërinë dhe familjarët. Ajo foli gjithashtu për emigrimin, duke treguar se edhe vetë kishte jetuar jashtë vendit, por ishte kthyer për shkak të dashurisë.
“Sa herë kthehem në Vlorë më kujtohen gjyshërit dhe fëmijëria. Më kujtohen edhe xhirot në Lungomare, se edhe na ngacmonin ndonjëherë o Luiz (qesh). Gjithnjë pyes veten përse ikin këta njerëz nga vendi. Edhe unë kam ikur, edhe motra e vëllai, mua më ktheu dashuria.”, u shpreh këngëtarja.
Një pjesë të rëndësishme të bisedës Gaçe ia kushtoi protestave, duke treguar se ka qenë e pranishme që në nisje të tyre, por ka zgjedhur të mos publikojë fotografi nga pjesëmarrja.
“Vajzat e mia i këshilloj të mos reshtin së kërkuari çfarë meritojnë dhe të mos kenë frikë. Edhe ne kemi frikë ndonjëherë. Kam qenë e pranishme në protestë që në fillim, vetëm se kam një gjë që nuk bëj foto. Unë protestoj për çdo gjë që më shikon syri.”, tha ajo.
Këngëtarja theksoi se pjesëmarrja e saj në protesta nuk ka pasur qëllim politik, por lidhet me bindjen se qytetarët duhet të kenë të drejtën të shprehin pakënaqësitë e tyre.
“Kam ndjesitë e mia për tu shprehur. Kur ti merr një krah, gjysma do të të urrejë, nuk do të kesh një mes. Nuk kam dalë në protestë për të marrë krah. Unë jam me mendimin që ky vend ka të drejtë të ngrejë zërin.”, theksoi këngëtarja.
Në përfundim, Aurela Gaçe ngriti shqetësimin për perspektivën e të rinjve në Shqipëri, duke kërkuar më shumë mundësi dhe një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj.
“Dua të drejtën e fëmijëve të mi dhe të rinjve që nuk shohin të ardhme këtu. Këtë nuk e luan topi. Shoh një rini që ndjen se në këtë vend nuk ka të ardhme. Ky shtet, a duhet t’ua ndërtojë këtë?”, tha Aurela mes të tjerash.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button