“Prisja që babai të kthehej, por nuk erdhi kurrë”/ Rrëfimi prekës i Silvana Rusit: E humba kur isha 10 vjeçe

Këngëtarja Silvana Rusi ka ndarë një rrëfim emocionues për humbjen e të atit në moshë të vogël, duke treguar se iu deshën vite për të kuptuar se ai nuk do të kthehej më. Artistja foli edhe për ëndrrën e saj për muzikën, të cilën i ati e kishte mbështetur që në fëmijëri.
E ftuar në emisionin “Rudina”, Silvana Rusi prezantoi këngën e saj “Zanë”, me të cilën merr pjesë në festivalin “Kënga Magjike”. Krahas projektit muzikor, këngëtarja ndau me publikun edhe momente të dhimbshme nga jeta personale.
Ajo tregoi se babai, të cilin e humbi kur ishte vetëm 10 vjeçe, kishte qenë mbështetësi i saj i parë në muzikë. Sipas këngëtares, ai i binte fyellit dhe çiftelisë dhe e kishte nxitur vazhdimisht të ndiqte pasionin për këngën.
“Mbaj mend që kishte shumë dëshirë që të vazhdoja për muzikë, veçanërisht kanto. Babi ishte person që i binte fyellit, çiftelisë. Edhe ai e kishte parë këtë yllin tim ndryshe, siç thotë motra ime: ‘Ti je me yllin ndryshe’. Gjithmonë ishte shtysa dhe më thoshte: ‘Ti duhet të këndosh!’, ndërsa për motrën dhe vëllain që ishin pak më të rritur se unë thoshte: ‘Këta le të kërcejnë!’.”, u shpreh këngëtarja.
Silvana kujtoi se i ati kishte arritur ta shihte në skenë kur ajo ishte vetëm 9 vjeçe, një vit përpara se të ndërronte jetë. Megjithatë, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të tij, ajo nuk është e sigurt nëse ai mundi ta përjetonte plotësisht atë moment.
Duke folur për humbjen, këngëtarja rrëfeu se vetëm në moshën 15-vjeçare kishte arritur të kuptonte se babai nuk ishte më. Për vite me radhë, ajo kishte jetuar me shpresën se një ditë ai do të kthehej.
“Unë isha 15 vjeçe kur kam arritur ta perceptoj që nuk e kam më babin këtu. Për pesë vite të jetës sime nuk e kam kuptuar që im atë nuk ishte më. Motrat më thoshin: ‘Ai është atje lart’. Ka qenë një film, ‘Dulce Maria’, në atë kohë që nuk kishte nënën dhe motra më thoshte: ‘Ke parë filmin Dulce Maria? Babi është atje, siç është mami i saj’. Unë rrija me mendjen që do të vijë babi, siç vinte mami i Dulce Marias or nuk erdhi asnjëherë.”, tha ajo.
Pavarësisht kësaj periudhe të vështirë, artistja theksoi se familja e saj e madhe, me gjashtë motra dhe një vëlla, ka qenë një burim i vazhdueshëm mbështetjeje.
Gjatë emisionit, Silvana u surprizua nga një videomesazh i vëllait, i cili shprehu krenarinë për rrugëtimin dhe arritjet e saj.
“Për mua të flas për Silvën nuk është e vështirë, kam shumë për të thënë. Dua t’i them asaj që unë si vëlla jam mirënjohës dhe falënderues ndaj saj për karakterin, vendosmërinë edhe për përkushtimin, qoftë ndaj muzikës, qoftë ndaj shoqërisë, qoftë ndaj familjes. Dua t’i them që vazhdo kështu, ne jemi krenarë për ty. Pjesëmarrja në ‘Kënga Magjike’ nuk është se e ndryshon faktin që ne jemi krenarë për ty, por arritjet e tua thjesht do të na lumturonin ne më shumë”, u shpreh vëllai.
E emocionuar nga surpriza, këngëtarja tregoi se në familjen e saj ndjenjat shprehen më shumë përmes veprimeve sesa fjalëve, çka e bëri mesazhin e të vëllait edhe më domethënës për të.




