Njeriut që ka punësuar gjithë familjarët e mazhorancës dhe opozitës në Bankën e Shqipërisë i jepet imunitet për ta shpëtuar nga burgu, ja akuzat që rëndojnë mbi guvernatorin Gent Sejko, nga afera e mikrokredive te zhvlerësimi i euros

Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, i cili i jep guvernatorit Gent Sejko mbrojtje të posaçme nga masat e arrestit dhe kontrollet e prokurorisë, pavarësisht kritikave të ekspertëve mbi përputhshmërinë e kësaj dispozite me Kushtetutën dhe parimin e barazisë përpara ligjit. Projektligji u miratua me 84 vota pro, në një seancë plenare të shoqëruar me tensione, ndërsa deputetët e opozitës protestuan në sallë duke ndezur tymuese dhe flakadanë.
Në votim morën pjesë deputetët e shumicës socialiste dhe të Partisë Socialdemokrate, ndërsa kryeministri Edi Rama u largua nga salla pas votimit. Dispozita e re parashikon që ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nuk mund të vendosen masa arresti dhe të kryhen kontrolle personale apo të banesës pa autorizimin paraprak të Kuvendit, kur procedimi lidhet me ushtrimin e funksionit të tij. Ndryshimet i japin Kuvendit një rol të drejtpërdrejtë në procedurën për autorizimin e këtyre masave, duke vendosur një filtër parlamentar midis organeve të drejtësisë dhe guvernatorit të bankës qendrore. Ligji nuk e përjashton guvernatorin nga hetimi apo përgjegjësia penale, por kufizon mundësinë e zbatimit të masave shtrënguese ndaj tij pa kaluar më parë përmes një procedure të posaçme autorizimi. Nisma kishte shkaktuar kundërshtime që prej muajit korrik, kur u raportua se projektligji i hartuar në kuadër të përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian synonte t’u jepte drejtuesve të Bankës së Shqipërisë mbrojtje shtesë nga organet e drejtësisë.
Në versionin e publikuar për konsultim në korrik, neni 72 parashikonte se guvernatori dhe zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestoheshin apo t’u nënshtroheshin kontrolleve personale dhe të banesës pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse kjo gjykatë nuk shprehej brenda dy javësh, kërkesa e prokurorisë konsiderohej e refuzuar. Por në versionin e paraqitur për votim në Kuvend, mekanizmi i autorizimit u ndryshua, duke ia kaluar këtë kompetencë parlamentit. Debati mbi imunitetin e guvernatorit zhvillohet në një kohë kur marrëdhëniet midis pushtetit politik dhe organeve të drejtësisë janë tensionuar nga hetimet penale ndaj zyrtarëve të lartë, ndërsa kufijtë e imunitetit dhe të masave të sigurimit janë kthyer në çështje të debatit publik. Përveç mbrojtjes procedurale, drafti i ligjit për Bankën e Shqipërisë përmbante edhe dispozita që zgjeronin kompetencat e institucionit për klasifikimin e informacioneve si konfidenciale apo sekrete.
Prapaskenat
Ndonëse nisma u miratua me 84 votat e mazhorancës socialiste dhe aleatëve të saj mes tensioneve dhe tymueseve të opozitës, pyetja që ngrihet në opinionin publik nuk lidhet vetëm me procedurën: Përse pushteti politik u ngut t’i vendoste një filtër mbrojtës Guvernatorit pikërisht tani? Përgjigjja fshihet te dy shtylla të forta që ushqejnë njëra-tjetrën: frika nga dosjet e hapura në SPAK dhe pazaresh e nepotizmit që ka kapur strukturat e bankës qendrore.
Dosjet e hapura në SPAK: Pse Sejkos i duhej urgjentisht imuniteti
Vendimi i Kuvendit për t’i dhënë mbrojtje procedurale Guvernatorit vjen pikërisht në momentin kur laku i drejtësisë po ngushtohej rreth tij. Gent Sejko gjendet aktualisht përballë proceseve penale paralele në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK). Sejko po hetohet si autor i krijimit të kushteve për skemat e mashtrimit me mikrokredi përmes ndryshimit të rregullores së bankës qendrore në favor të shoqërive mikrofinanciare. Pasi Prokuroria e Tiranës tentoi ta mbyllte dosjen, Gjykata e Posaçme e shpalli të pavlefshëm pushimin dhe urdhëroi SPAK-un të plotësojë hetimet. Ndaj kreut të BSH-së rëndojnë gjithashtu akuza publike për menaxhimin e tregut valutor dhe pasojat e zhvlerësimit të monedhës europiane. Në këto kushte, ku hetimet penale rrezikonin të kalonin në masa shtrënguese, ligji i ri shërben si një “frenë emergjence” politike kundër veprimeve të SPAK-ut.
“Të mbrojmë njeriun që na strehoi familjet”
Arsyeja se pse politika gjithashtu pranoi t’i shërbejë si mburojë Guvernatorit lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si Sejko e ka administruar Bankën e Shqipërisë prej viteve. Duke e kthyer institucionin financiar më të rëndësishëm të vendit në një strehë punësimi për të afërmit e të dyja krahëve të politikës dhe drejtësisë, Sejko ndërtoi imunitetin e tij real përpara se ta merrte atë me kartona në Parlament. Listat zyrtare dhe raportimet publike tregojnë se si zyrat e BSH-së, nga niveli drejtues deri te specialistët, janë populluar me pjesëtarë të fiseve politike./sot.com.al





