Rama mbledh kupolën e PS, prezanton paketën e re të taksave për shqiptarët

Kryeministri Edi Rama ka thirrur në një takim, që do të nisë në orën 09:30, ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë të qarqeve të Partisë Socialiste.
Mbledhja zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pas protestave të dhunshme të zhvilluara pak ditë më parë në Tiranë, ndërsa në vëmendje janë edhe përgatitjet për shqyrtimin parlamentar të projektbuxhetit dhe paketës fiskale për vitin 2027.
Paralelisht, në orën 10:00, Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të nisë prezantimin e projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2027”, së bashku me një sërë ndryshimesh të propozuara në legjislacionin fiskal.
Paketa përfshin ndërhyrje në ligjin për akcizat, atë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), taksat kombëtare, tatimin mbi të ardhurat dhe procedurat tatimore.
Konkretisht, në komision do të prezantohen projektligjet për:
-Ndryshimet në ligjin “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”.
-Ndryshimet në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”.
-Ndryshimet në ligjin “Për Taksat Kombëtare”.
-Ndryshimet në ligjin “Për Tatimin mbi të ardhurat”.
-Ndryshimet në ligjin “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
Axhenda politike nis më herët në Presidencë. Në orën 09:00, përfaqësues të Partisë Socialiste do të zhvillojnë një takim me Presidentin Bajram Begaj, ku në fokus do të jetë caktimi i datës së zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.
Për të njëjtën çështje, me kreun e shtetit do të takohen edhe përfaqësues të Partisë Social-Demokrate, të drejtuar nga Tom Doshi. Takimi i tyre është parashikuar në orën 11:00.




