“Politika bën qejf me ne, qesh e tallet”, Aurela Gaçe shpërthen ndaj pushtetarëve: Keni shumë mëkate mbi këtë popull

Këngëtarja e njohur Aurela Gaçe ka reaguar në rrjetet sociale pas incidenteve të dhunshme që shoqëruan protestën në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për përplasjet dhe duke kritikuar ashpër klasën politike, pa dallim.
Artistja thekson se qytetarët nuk janë armiq të njëri-tjetrit dhe se përplasjet po ndodhin në një kohë kur, sipas saj, politika vijon të përfitojë në kurriz të popullit.
“Si mund të ndodhë kjo? Oh, ne nuk jemi armiq me njëri-tjetrin! Ai fëmijë që godet është edhe fëmija yt. Si arritëm këtu? Politika bën qejf me ne, qesh e tallet”, shkruan Gaçe.
Në vijim, këngëtarja u drejtohet drejtpërdrejt politikanëve të të gjitha krahëve, duke i akuzuar për përgjegjësi ndaj situatës në të cilën ndodhet vendi.
“Ju politikanë, nga të gjitha krahët, keni shumë mëkate mbi këtë popull! Në emër të kujt po dhunohet populli? Në emër të politikës! Ndaloni përpara se të jetë vonë”, shprehet ajo.
Gaçe vijon reagimin me akuza të ashpra ndaj klasës politike, duke kërkuar që të mos cenohet e ardhmja e brezit të ri.
“Politikë e ndyrë, pa gjak, pa shpirt. Mjaft vodhët, mjaft u majmët për 3 dekada. Mos vrisni të ardhmen. Rinia meriton të jetojë e lirë dhe të ndërtojë të ardhmen këtu, pranë familjeve, pranë njerëzve që i duan”, përfundon këngëtarja.
Reagimi i artistes vjen pas protestës në kryeqytet, e cila u shoqërua me tensione, përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe persona të lënduar




