E përlotur, Sara Gjordeni rrëfen ngjarje tronditëse nga jeta e saj
Sara Gjordeni, e ftuar në “Ftesë në 5” ka rrëfyer disa ngjarje shokuese nga jeta e saj, duke nisur që nga marrëdhënia me prindërit e deri te humbja e dy vëllezërve. Në një bisedë të ndjerë, ajo tregoi se i ati kishte tentuar ta helmonte kur ajo ishte 4 vjeç dhe dhimbjen e humbjes së njerëzve të dashur.
Fillmisht ajo tregoi divorcin e prindërve:
“Unë kam dy prindër të cilët janë divorcuar kur kam qenë 2 vjeç. Tim atë nuk e kam takuar kurrë. Nëna ime është larguar në emigrim kur unë ende s’kisha mbushur 3 vjeç. Në kujtimet e mia të para si fëmijë, ka qenë një skenë e tim ati duke ushtruar dhunë ndaj nënës sime. Dhunë që s’e kisha parë as nëpër filma atë skenë. Nëna ime ka humbur veshkën atë natë dhe që prej asaj dite ka probleme me zemrën. Ashtu e operuar, ende duke rrjedhur gjak, ka shkuar nga mali në Greqi, mes plumbave e luftës, sepse ai që e ka çuar në Greqi e ka kaluar nga territori i Kosovës”, duke shtuar se nëna e saj ka mbërritur në Greqi dhe ia ka nisur nga e para.
Sara tregoi edhe marrëdhënien e saj me të atin:
“Im atë vazhdon jeton, por nuk më ka kërkuar. Një herë që më ka kërkuar, ka sjellë diçka të cilën unë e kam konsumuar dhe për pak kam humbur jetën në moshën 4-vjeçare. Kjo shpjegon edhe mosbesimin tim te njerëzit, sepse në rast se im atë ka qenë në gjendje të bëjë diçka të tillë, çdokush tjetër është i aftë të bëjë gjithçka. Në moshën 16-vjeçare, për 4 vite me radhë, me një llogari false, jam shantazhuar në mënyrë të vazhdueshme, jam ofenduar, kritikuar dhe ime më ishte gjykuar për mënyrën se si më kishte rritur. Pas 4 vitesh mora vesh që pas asaj llogarie ishte sërish im atë”.

Ajo tha gjithashtu se i ati ka qenë kontradiktor, pasi ka thënë se e ka dashur shumë, por kur gjykata vendosi që fëmija t’i mbetet nënës, ai ka reaguar shumë keq. “Një gjë që do të më ngelë peng në jetën time është që i kam thënë babait tim “ky xhaxhi”, sepse nuk e njihja. Vetëm një herë e kam parë dhe s’e kam takuar kurrë. Ka qenë duke më ndjekur me vrap për të më parë dhe përpara më del daja im, i cili më ka futur në shtëpi dhe ka pasur një konflikt me tim atë”. Sara tregoi se i ati i kishte vënë zjarrin shtëpisë ku ajo dhe e ëma kanë jetuar.
Ajo u shpreh se as të ëmën nuk e njihte dhe se kur e pa për herë të parë pas 3 vitesh, i tha tezes, e cila e ka rritur, që te dera ishte “një teta”, duke shtuar se tezja e ka mësuar të shkruajë, të lexojë dhe ka bërë gjithçka që ajo të mos e ndiente varfërinë dhe dhimbjen.
“Unë nuk kam qenë fëmijë i vetëm. Sot do të kisha edhe 2 vëllezër. Nëna ime ka humbur 2 djem (dhe) ndoshta kjo është arsyeja pse unë rrija gjithnjë me Meritonin dhe Bardhin kohët e fundit dhe i shihja të dy shumë të afërt. Instinktivisht, njeriu në nënvetëdijen e vet përpiqet të zëvendësojë ato që i mungojnë në jetë”, u shpreh ish-konkurrentja e “BBVA 3”.
Sara tha se vëllezërit e kanë humbur jetën në moshë shumë të vogël, për shkak të pakujdesisë së shëndetësisë.
Më tej, ajo shtoi:
“Duke qenë se nuk i kam pasur vëllezërit dhe as tim atë, e shoh që shkoj më shumë te djemtë për të bërë shoqëri, ose për të gjetur diçka që më ka munguar gjatë jetës. Nuk ka ndonjë filozofi kushedi se çfarë. Nëse do të bëja diçka për show, Endrik Beba, Bardhi dhe unë do të bënim një trekëndësh aq dramatik sa nja 3 javë të mira do të kishte lënë në hije çdo banor tjetër. Kemi qenë unë dhe Bardhi që nuk kemi dashur”.
Sara theksoi se historia që u diskutua shumë në rrjet mes saj dhe Meritonit ka qenë e tepërt, pasi 4 ditët e fundit moderatori ka qenë shumë i sëmurë. “Ka pasur episode kur ishte duke i rënë edhe të fikët”. Ajo tha se kur pa meme-t kur doli nga shtëpia është ndjerë shumë e zhgënjyer. / Anabel