Ai 42 vjeç, ajo vetëm 21 – Ismet Drishti rrëfen historinë e dashurisë me bashkëshorten

Një diferencë prej 21 vitesh në moshë, kundërshtime nga familja dhe shtatë vite të vështira për të arritur deri te lumturia që gëzojnë sot. Ismet Drishti ka rrëfyer detaje nga historia e dashurisë me bashkëshorten e tij, Enianën, në një intervistë ekskluzive për Revistën Bordo, duke treguar se si lindi kjo marrëdhënie dhe çfarë i bën ata të jenë kaq të lidhur me njëri-tjetrin.
Kur u njohën, Ismeti ishte 42 vjeç, i divorcuar dhe baba i dy fëmijëve, ndërsa Eniana ishte vetëm 21 vjeçe. Një lidhje që nuk u prit lehtë, veçanërisht nga familja e saj, por që, sipas tij, ia vlejti çdo vështirësi.
I pyetur se si arriti t’ia fitonte zemrën bashkëshortes, Drishti nuk e sheh dashurinë si një betejë ku dikush fiton dhe dikush tjetër dorëzohet. Për të, gjithçka ka qenë e ndërsjellë.
“Si ia mora? Ia morëm njëri-tjetrit. Ishte një shkëmbim zemrash. Nuk ishte se njëri ia mori tjetrit”, shprehet ai për Bordo, duke e përshkruar Enianën si gjysmën e tij më të mirë.
Madje, Ismeti tregon se këtë e ka shprehur edhe në mënyrën se si e ka regjistruar bashkëshorten në telefonin e tij. Një detaj i vogël, por që tregon shumë për mënyrën se si e sheh ai gruan që ka në krah.
“Jam shumë i lumtur me bashkëshorten që kam. Po të hapësh telefonin tim, e kam të regjistruar ‘gjysma ime më e mirë’. Ajo është gjysma ime më e mirë. Kam pasur një fat të jashtëzakonshëm. E vlerësoj dhe e falënderoj çdo ditë për atë që është dhe për atë që bën për mua dhe për familjen”, rrëfen ai.
Edhe kur vjen puna te hapi i parë, Ismeti nuk ia atribuon meritën vetëm njërës palë. Sipas tij, të dy kanë ecur drejt njëri-tjetrit, ndaj nuk mund të thotë me siguri se kush e nisi i pari këtë histori.
Megjithatë, rruga drejt një jete të përbashkët nuk ka qenë aspak e lehtë. Diferenca në moshë, e shoqëruar me rrethanat personale të Ismetit, bëri që lidhja të haste kundërshtime të forta.
“Situata ka qenë shumë e vështirë, sepse Eniana ishte një vajzë 21 vjeçe. Unë isha 42, i divorcuar me dy fëmijë, ndërsa ajo ende nuk e kishte filluar jetën. Normalisht, nga familja e saj ka pasur një rezistencë të jashtëzakonshme. Për shtatë vite të gjata kemi vuajtur goxha”, tregon Drishti.
Por, për të, këto vështirësi janë edhe pjesë e asaj që e bën një histori dashurie të vlefshme. Ai beson se gjërat e mira nuk arrihen gjithmonë lehtë dhe se, ndonjëherë, duhet shumë durim për të ndërtuar diçka që ia vlen të ruhet.





