Videot me “pullë të kuqe”, Ori Nebiaj: Ne jemi popull i frustruar, kemi burra ordinerë

Ish-deputetja dhe moderatorja Oriela Nebiaj, ka reaguar ashpër pas publikimit të disa videove të kompozitorit Adi Hila, me personazhe të njohura.
Reagimi
Që ne jemi një popull i frustruar seksualisht, kjo s’ka diskutim! Sa herë del një «skandal» me video intime, etja për t’i parë na zjen gjakun.
Në fakt, skandali nuk është jeta intime e njerëzve. Skandali është thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra si ne i presim, i kërkojmë e i shpërndajmë ato pamje. Neveritëse.
Gra që mund të jenë filmuar në intimitet pa dëshirën e tyre. Burra ordinerë, fekale të shoqërisë, që realizojnë skenarë të tillë.
Duhet të ketë përgjegjësi të qartë penale për këdo që provohet se filmon intimitetin e dikujt pa pëlqimin e tij dhe për këdo që i shpërndan ato pamje pa pëlqim. Ky është abuzim, jo argëtim.
Qejf i madh, histeri nëpër telefona, ndërsa videot kalojnë nga njëri te tjetri. Akoma na bën çudi që njerëzit kanë jetë intime.
Dalin çështje që ngrenë pyetje për abuzimin me pushtetin, shtetin dhe taksat tona, e megjithatë vëmendjen e harxhojmë te historitë rozë: me kë shkonte, kë kishte dashnore.
Dhe, si gjithmonë, fatura e turpit i shkon gruas së pari. Burri mund të jetë pjesë e së njëjtës histori, por ajo bëhet titulli, objekti i gjykimit dhe shënjestra e komenteve.
Ky është morali ynë me dy standarde: kur duhet të kërkojmë llogari, bëhemi spektatorë; kur duhet të respektojmë privatësinë, bëhemi prokurorë.
Po e mbyll duke përmendur një emër, ADRIAN HILA.
Çfarë perversiteti ordiner. Burg për këdo i ka shpërndarë videot, si dorë e parë e e si dorë e dytë.




