Ervin Salianji tallet keq me deputetin e PD: Seriozitetin e ka sa një tru pule

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar me ironi ndaj akuzave të deputetit Flamur Noka, i cili e ka bërë përgjegjës për ndikim te vota e demokratëve për zgjedhjen e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit.
Në një deklaratë për emisionin “Repolitix”, Salianji hodhi poshtë çdo përfshirje të tij në proces, duke ironizuar rëndë deputetin e PD-së.
“Unë merrem me gjëra serioze, se me njerëz që seriozitetin e kanë sa një tru pule nuk merrem dot. Janë edhe budallallëqe”, u shpreh Salianji.
Ish-deputeti mohoi të kishte pasur ndonjë rol, duke theksuar se këtë qëndrim e kishte shprehur edhe më herët. Ndërkohë, pas shprehjes ironike, Salianji sqaroi se fjalët e tij nuk i drejtoheshin gazetares Maloku, për të cilën tha se kishte vlerësim dhe respekt profesional.
Në sfondin e kësaj përplasjeje politike qëndron vendimi i Gjykatës Kushtetuese për legjitimimin e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit.
PD e kishte kundërshtuar procesin, duke argumentuar se 28 firmat e deputetëve në mbështetje të kandidaturës nuk ishin më të vlefshme pasi ishin tërhequr më herët. Sipas Kushtetueses, kushti procedurial ishte përmbushur në momentin kur kandidatura u verifikua dhe kaloi për shqyrtim në seancën plenare.




