Mero Baze nxjerr emrat brenda PS-së, që po bëjnë lu*të të egër me njëri-tjetrin

Nga Mero Baze
Vendet që përballen shpesh me histori korrupsioni, si Shqipëria, kanë mënyra të ndryshme për t’u përballur me ndëshkimin e tij. Disa i kanë dramatike, si Rumania, të tjera, si Kroacia, i kanë brutale por simbolike, të kufizuara vetëm në nivelet e larta. Shqipëria duket se edhe historitë e ndëshkimit të korrupsionit i ka banale, njësoj si vetë korrupsioni.
Duke qenë se shumica e zyrtarëve të lartë të qeverisë së Edi Ramës po përballen me drejtësinë dhe shumë personazhe të përfshira në raporte me ta janë në arrati, përballja e Shqipërisë me korrupsionin është kthyer në një film pa regjisor, ku secili ofron kasetën e vet për publikun, por askush kasetën e vërtetë për drejtësinë.
Tani secila prej viktimave të drejtësisë po përpiqet të gjejë një armik tjetër për ta denoncuar si fajtor për historinë e vet, duke i konvertuar raportet e dikurshme brenda pushtetit në raporte me drejtësinë.
Në Rumani, pas reformës në drejtësi, kur filluan të dënoheshin personazhet kryesore, ndodhën skandale të mëdha. Kur Prokuroria Antikorrupsion hetoi dhe çoi para gjykatës politikanë e zyrtarë të lartë, shpërtheu një debat për mënyrën se si ishin ndërtuar dosjet. Në vitin 2018 u bënë publike protokollet e fshehta të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë dhe shërbimit të inteligjencës SRI. Gjykata Kushtetuese konstatoi në vitin 2019 një konflikt kushtetues lidhur me protokollin e vitit 2009 dhe kërkoi që gjykatat të kontrollonin ligjshmërinë e provave në çështjet përkatëse.
Shefi i shërbimit sekret, në arrati, u kthye më pas në një bloger që çdo natë tregonte në YouTube se si ai, prokurori dhe një diplomat amerikan që mbulonte CIA-n shkonin nëpër darka dhe caktonin se kush duhej arrestuar. Kjo solli neveri ndaj rezultateve të prekshme të reformës në drejtësi dhe përfundoi në një krizë të zgjatur politike.
Në Kroaci, Prokuroria e specializuar USKOK nisi çështjen ndaj ish-kryeministrit Ivo Sanader, i arrestuar në vitin 2010 dhe i dënuar më pas në disa çështje korrupsioni. Atje gjithçka u përqendrua te një rast simbolik, për t’u dhënë mësim të tjerëve, ndërsa debati vazhdoi mbi efikasitetin e reformës.
Në Shqipëri, ky test është një përzierje e Rumanisë dhe Kroacisë. Këtu janë futur nën akuzë dy ish-presidentë dhe pothuajse të gjithë zyrtarët më të lartë të pushtetit të sotëm, prej vitit 2013, përveç Edi Ramës, i cili është ende në detyrë.
Pra, kemi edhe gjyqe simbolike, edhe gjyqe të vërteta, si dhe përballje të ndryshme me drejtësinë nga viktimat e saj.
Deri tani, integrimi në Evropë ka dy dëshmorë: Erion Veliajn dhe Ilir Beqajn. Vetëm këta janë arrestuar dhe kanë bërë betejë vetëm me drejtësinë, duke përgënjeshtruar akuzat dhe duke u kapur fort pas bazës ligjore për të drejtat e tyre.
Sali Berisha dhe Ilir Meta, si dy ish-presidentë, i kanë kundërshtuar akuzat politikisht dhe kanë akuzuar Edi Ramën se qëndron pas tyre.
Të gjithë të tjerët, që janë pjesë e enturazhit të Edi Ramës, janë edhe më qesharakë. Ata gjejnë një armik brenda pushtetit të Edi Ramës dhe pretendojnë se ai ua ka bërë gjëmën.
Për shembull, Arben Ahmetaj mendon se ia kanë bërë Veliaj me Ballukun. Klodi Mërtiri dyshon se inceneratorin ka dashur t’ia marrë Arben Ahmetaj, ndërkohë që ky i fundit mendon se ia kanë marrë Ben Blushi me Veliajn. Balluku dyshon se ia kanë bërë Veliaj dhe Gysi, ndërkohë që të dy janë në burg po nga SPAK-u. Nga ana tjetër, Ergys Agasi dyshon se gropën ia ka bërë Balluku, kurse Vlora dyshon se ia ka bërë Klodi Lala me agjentët serbë.
E gjithë kjo është një xhalo shqiptare që t’i sjell zorrët në fyt. Dhe kjo jo se ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur më parë, apo diku tjetër, por sepse mënyra se si ata po përballen me drejtësinë është e re dhe e paprovuar më parë në Shqipëri.
Është ajo ora kur, mes të tjerash, duhet të tregohesh edhe pak burrë për t’u përballur me të shkuarën tënde.
Në gjithë këtë garë skandalesh duket se edhe personazhet po ndërrojnë profesion. Shumica e politikanëve të akuzuar po bëhen blogerë, autorë podkastesh ose personazhe të tyre, duke u nisur nga keqkuptimi se e keqja u ka ardhur nga media dhe nga kundërshtarët e tyre brenda qeverisë.
Dëmi më i madh pas kësaj është krijimi i një kulture primitive të përballjes me drejtësinë. Në përpjekje për t’u përballur të vetëm me të, të gjithë ish-zyrtarët e shtetit po e bëjnë qesharak shtetin shqiptar, duke nxjerrë në pazar zorrët e barkut, me shpresën se sa më pis ta bëjnë vendin, aq më të pastër do të duken në raport me të tjerët.
Me sa duket, mbështeten te parimi se askush nuk e ndien erën e vet kur mbush brekët.

