I vodhën paratë në ditën e zisë/ Po varroste kushëririn, këngëtari Bledar Hoxhaj grabitet gjatë ceremonisë mortore në Fier

Këngëtari i muzikës popullore Bledar Hoxhaj është përballur me një vjedhje në Fier, në një moment zie për familjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ceremonisë mortore të kushëririt të tij të parë, të cilin Hoxhaj po e përcillte për në banesën e fundit.
Sipas denoncimit të bërë prej tij në rrjetet sociale, rreth orës 10:00, një person është futur në automjetin e tij, një Audi Q5 ngjyrë gri e errët, dhe ka marrë paratë që ndodheshin në portofolin e lënë brenda makinës. Portofoli është lënë në automjet.
Momenti i vjedhjes është filmuar nga kamerat e sigurisë.
Pamjet kanë fiksuar edhe personin duke hyrë në automjet, ndërsa pas vjedhjes ai është larguar nga zona me një Opel ngjyrë gri të hapur.
Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e personit.
Ai u ka bërë apel të gjithë atyre që mund ta njohin autorin, të kenë parë automjetin ose të kenë informacion për ngjarjen që të kontaktojnë me të.
Pamjet e kamerave pritet t’u dorëzohen organeve përkatëse për të ndihmuar në identifikimin e personit dhe zbardhjen e rastit.
Këngëtari e ka cilësuar ngjarjen veçanërisht të rëndë për shkak të momentit kur ka ndodhur, teksa familja po përcillte të afërmin e saj për në banesën e fundit.
Hetimet për identifikimin e autorit dhe rrethanat e vjedhjes pritet të vijojnë.



