Ndryshime në sezonin e ri, zbulohet emri që pritet të marrë drejtimin e “Portokalli”!

Një rikthim i rëndësishëm pritet të ndodhë në sezonin e ri televiziv në Top Channel. Agron Llakaj, një nga emrat e lidhur prej vitesh me historinë e “Portokalli”, pritet të rikthehet në spektaklin e humorit.
Lajmin e ka publikuar “Loki Magazine”, e cila raporton se Llakaj pritet të marrë sërish drejtimin e programit, 16 vite pas largimit të tij.
Për Agron Llakajn do të ishte një rikthim në formatin ku për vite me radhë mbajti një rol kryesor. Ai ishte pjesë e “Portokalli” si drejtues, por edhe si aktor përmes personazheve të interpretuara në skenën e spektaklit.
Ndryshimi ngre ndërkohë pikëpyetje për të ardhmen e Salsano Rrapit. Prej vitesh atij i është besuar drejtimi i “Portokalli”, por deri tani nuk ka informacion nëse do të vazhdojë moderimin përkrah Agron Llakajt apo Top Channel do të zgjedhë një formulë tjetër për sezonin e ri.
Top Channel nuk ka prezantuar ende zyrtarisht formulën e re të programit. Për këtë arsye, rikthimi i Llakajt dhe roli që do të ketë Salsano Rrapi mbeten ende të pakonfirmuara.
