Zegjine Çaushi humb mandatin për disa orë, Maldrita Bardho i ‘dhuron’ të sajin

Zegjine Çaushi humbi për disa orë mandatin e deputetes pas përfundimit të rinumërimit të votave për Qarkun e Fierit.
Por në orët e mbrëmjes, kandidatja fituese Maldrita Bardho njoftoi se nuk do ta pranonte mandatin pavarësisht se kishte marrë 10 vota më shumë se Çaushi. Gjithcka u paralajmërua nga drejtuesja politike e qarkut Belinda Balluku e cila në një prononcim për BIRN, la të kuptohej qartë se profili që i intereson Edi Ramës për ta çuar në Parlament është pikërisht Zeqine Çaushi.
Procesi i rinumërimit, në qarkun e Fierit solli ndryshime në shpërndarjen e mandateve brenda kampit socialist. Zeqine Çaushi, fillimisht humbi mandatin e deputetes në qarkun e Fierit, i cili i kaloi për disa orë kandidatës tjetër, në listën e hapur të partisë socialiste, Maldrita Bardho. Ashtu siç pritej, diferenca e ngushtë mes dy kandidateve solli një rrokadë, në listat e socialistëve pasi nga procesi i rinumërimit, rezultoi se Zeqine Çaushi kishte përfituar 48 vota që nuk i takonin. Por gjithcka ndryshoi në orët e mbrëmjes. Në mënyrë të papritur deputetja që rezultoi fituese pas rinumërimit, Maldrita Bardho njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se e refuzonte mandatin e deputetes në favor të Zeqine Çaushit.
Do t’i lë me shumë kënaqësi vendin tim, koleges dhe mikes time, Zeqine Çaushi, Zeqinesë që ka luftuar ndoshta më shumë për skuadrën se sa për veten këtë fushatë.
Rasti i 10 votave diferencë mes Maldrita Bardhos dhe Zeqine Çaushit, sigurisht do të jetë një çështje që do të mbetet në diskrecionin e plotë të kandidateve për të proceduar më tej.




